I ka lënë një derë hapur Komisioni i Venecias propozimit të Partisë Demokratike për Vettingun në politikë. Në Opinionin e përgatitur nga ky Komision dhe që do të miratohet në mbledhjen e datës 14-15 Dhjetor 2018, ekspertët theksojnë se: “Nga takimet (shkëmbimet e mendimeve) e ndryshme që patën Raportuesit gjatë vizitës në Shqipëri, duket qartë se ekziston vërtet një problem i kontakteve të papërshtatshme midis politikanëve dhe elemente kriminale”.
“Kështu për shkak të rrethanave specifike aktualisht në Shqipëri, futja e një mekanizimi special verifikimi për zyrtarët publik duket si një qëllim legjitim”.
Tashmë kjo përgjigje është edhe në duart e anëtarëve të Këshillit për Legjislacionin, komisionit të çështjeve ligjore e ekspertëve përkatës. Në raportin prej 20 faqesh, Komisioni i Venecias shpreh edhe paqartësitë që kanë të bëjnë kryesisht me procedurën që do të aplikohet, dhe mekanizmat e zbatimit.
“Për më tepër, duke pasur parasysh dispozitat ekzistuese të neneve 6/1, 45 (3) dhe 179 / a të Kushtetutës së Shqiptarësi dhe legjislacionit përkatës zbatues (në veçanti Ligjin e Dekriminalizimit), si dhe mekanizmave të tjerë demokratikë në dispozicion, vlera e amendamenteve të propozuara kushtetuese mund të vihet në pikëpyetje”.
Në të njëjtën linjë janë edhe shqetësimet e ngritura eksperti i Partisë Socialiste Artur Metani, të cilave i përgjigjet Gazment Bardhi eksperti ligjor i Partisë Demokratike.
“Cila do jetë struktura përgjegjëse që do ta zbatojë këtë proces? Kush do ta drejtojë atë? A do jetë e njëjtë si për zyrtarët e zgjedhur dhe ata të emëruar apo e ndryshme? Drafti i përgjithshëm duhet të jepte një orientim të përgjithshëm të paktën në nivel kushtetues se cilët do të jenë organet kompetente të hetimit apo konstatimit për të mos u zgjedhur apo mbarimit të mandatit”, tha Metani.
“Amandamenti nuk parashikon një organ të ri kushtetues që i ngarkon detyrën e kryerjes së kntrollit të figurës për këto zyrtarë në vlerësimin tim, nënkupton që do jetë një organ ekzistues kushtetues”, u shpreh Bardhi.
Në opinionin e hartuar nga Komisioni i Venecias”skualifikimi i heqjes së mandatit zgjedhor nuk duhet të konsiderohet si kufizim i demokracisë, por si një mjet për ta ruajtur atë. Në fund të opinionit të tij, Komisioni i Venecias i kërkon parlamentit të thotë fjalën e fundit.
“Parlamenti shqiptar të vendosë mbi hapat e ardhshëm lidhur me ndryshimet kushtetuese të propozuara, nëpërmjet dialogut konstruktiv midis të gjitha forcave politike dhe shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare”.
Për të marrë përgjigjet e munguara Komisioni i Veneciasi i ka bërë një ftesë Kuvendit. Kryeparlamentari Gramoz Ruçi bëri të ditur, se gjashtë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, tre nga mazhoranca e tre nga opozita do shkojnë në Komisionin e Venecias, për të mbrojtur pikëpamjet e tyre për propozimin e opozitës për Vettingun në politikë. Mazhoranca do përfaqësohet nga Ulsi Manja, Vasilika Hysi dhe Klotilda Bushka, ndërsa nga opozita do jenë Oerd Bylykbashi, Gazment Bardhi dhe Silva Caka./abcnews.al