Komisioni i Venecias publikon raportin përfundimtar për Metën

schedule13:02 - 14 Tetor, 2019

schedule 13:02 - 14 Tetor, 2019

E mbajti apo jo premtimin se do të zbatonte vetëm Kushtetutën gjatë detyrës së tij. Nuk merr përsipër ti japë përgjigje të drejtpërdrejtë Komisioni Venecias por fillimisht sqaron palët në vend se është Gjykata Kushtetuese që do të vendosë nëse anulimi, dhe më pas shtyrja e datës së zgjedhjeve vendore përbën ose jo një shkelje të kushtetutës, dhe nëse kjo shkelje është e natyrës serioze, gjë që do të çonte deri në shkarkimin e presidentit.

Në këtë përfundim kanë arritur ekspertët e komisionit të Venecias pasi kanë shqyrtuar gjerë e gjatë pretendimet e dy institucioneve më të rëndësishme në vend Kuvendit dhe Presidencës. Megjithatë ata radhisin mendimet e tyre sugjeruese për palët.

“Njësoj si e kemi shprehur dhe në opinionin tonë, një numër faktorësh tregojnë se ndoshta nuk ka material të mjaftueshëm që do të përbënte një shkelje serioze. Kjo duke u bazuar, në mënyrë të dukshme, apelit të presidentit për dialog; synimi që shtyrja e zgjedhjeve do të kishte kontribuar që palët të gjenin një kompromis; mungesa e mundësisë që dekreti i Presidentit të prezantohet para një gjykate, si dhe statusi kushtetues i zgjedhjeve vendore krahasuar me zgjedhjet parlamentare”.

Komisioni i Venecias e këshillon Parlamentin që të shohë përtej konstatimeve të deritanishme të cilat mund të mos jenë të nivelit për të shkarkuar një President.

“Të marra së bashku, këto mund t’i japin elemente Kuvendit që të shohë përtej këndvështrimit që – përtej asaj që Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë datën e zgjedhjeve vendore përtej mandatit elektoral të autoriteteve vendore pa një bazë të caktuar ligjore – këto veprime mund të mos përmbushin kriteret e kërkuara për një seriozitet të mjaftueshëm që kërkon rrethana për shkarkimin e Presidentit”.

Komisioni i Venecias ka arritur në përfundimin se edhe nëse serioziteti i shkeljeve do të ishte vërtetuar, kjo jo domosdoshmërisht do të çonte në shkarkimin e Presidentit, duke marrë parasysh pushtetin  që Kuvendi ka për të llogaritur objektivat kushtetuese, si kontrollet dhe ekuilibrat.

/ABC News Albania 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!