Komisioni i Ligjeve rrëzon dekretin e Presidentit Meta

schedule12:42 - 4 Shkurt, 2019

schedule 12:42 - 4 Shkurt, 2019

Komisoni i Ligjeve ka rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për ligjin e “Noterisë” i kthyer për rishqyrtim. Votën kundër të mazhorancës e ka mbështetur edhe përfaqësuesja e misionit Euralius sipas të cilës ligji është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Nuk kalojnë pa debat dekretet e presidentit Ilir Meta. Diskutimi u bë për ligjin “Për noterinë” i kthyer nga kryetari i shtetit për shqyrtim pasi ka të meta që duhet të rishikohen.

“Disa dispozita nuk janë të plota, paraqesin probleme”.

Në cfarëdo situate normale kthimi i ligjit nga presidenti duhet të ishte një këmbanë alarmi tha deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj.

“Pa Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë. Me gjithë respektin e madh për dhomën e Noterëve, Këtu duhet të ishte edhe ministri i Drejtësisë. Ky është teatër hipokrizie. Parlamenti do të duhet ta marrë seriozisht për shkak të interesit publik”.

Kundër dekretit të presidentit nuk u shpreh vetëm mazhoranca dhe Dhoma e Noterisë, por edhe misioni Euralius në Shqipërisë përfaqësuesja e të cilit tha se dispozita të tilla gjenden edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian.

“Ligji bën balancë dhe e vlerësojmë se arrin balancën e duhur. Janë zgjidhje të ngjashme edhe me vendet e tjera. Dispozita të tilla gjenden dhe në vende të tjera të BE. Është në përputhje me standardet e BE”.

Kanë mjaftuar 10 votat e mazhorancës në komisionin e ligjeve për të rrëzuar dekretin e presidentit për shqyrtim të ligjit të “Noterisë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!