Kombëtarja “prova” për Evropian, Sylvinho i beson ndaj Kilit “heronjve” të eliminatoreve

schedule16:36 - 22 Mars, 2024

schedule 16:36 - 22 Mars, 2024

Pritjes i ka ardhur fundit. Pas gati katër muajsh, që pas përfundimit të eliminatoreve të Euro 2024, kombëtarja e Shqipërisë kthehet sot në mbrëmje në fushën e lojës. Në orën 20:45 në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës, kuqezinjtë e drejtuar nga Silvinjo do të luajnë miqësoren e parë kundër Kilit, që ashtu si ajo e tri ditëve më pas në fushën e Suedisë, është shumë e rëndësishme përpara finaleve të Kampionatit Evropian.

Shqipëria kërkon të ruajë serinë e rezultateve pozitive, ndërsa futbollistët duhet të tregojnë veten për të bindur teknikun Sylvinho, që deri në maj duhet të ketë gati listën e lojtarëve që do të marrë me vete në finalet e Gjermanisë.

Skuadra “Kuqezi” zhvilloi seancën e fundit stërvitore në stadiumin e ndeshjes, që “kristalizoi” idetë e trajnerit për skuadrën që do të zbresë në fushë nga minuta e parë kundër Kilit. Edhe një herë Sylvinho pritet të zbatojë “ligjin e pashkruar” të futbollit, që thotë se ekipi fitues nuk ndryshohet.

Me vetëm dy prekje të detyrueshme, tekniku brazilian do t’i besojë formacionin atyre që dhanë kontributin më të madh në eliminatoret e fundit. Me Berishën që vuan një lëndim muskular, në portë do të luajë Strakosha. Përpara tij në mbrojtje do të rreshtohen Hysaj e Mitaj në krahë, ndërsa në qendër Gjimshiti e Mihaj, me këtë të fundit që merr vendin e Ismajlit të dëmtuar.

Nuk ndryshojnë repartet e tjerë dhe as moduli. Asllani dhe Ramadani nisen në mesfushë. Fantazia i besohet Bajramit, që bashkë me Asanin e Seferin në krahë do të ndihmojnë Cikalleshin në majën e sulmit. Por duke qenë në miqësore, të gjithë futbollistët do të kenë shansin e tyre për të treguar veten, ndërsa pritet rikthimi në fushë me kombëtaren për Brojën dhe Manaj. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!