Përgatitjet janë bërë për të fituar. Kombëtarja shqiptare e futbollit zhvilloi seancën e fundit stërvitore në prag të ndeshjes së sotme në Andorrë për eliminatoret e Kupës së Botës, dhe objektivi është thjesht të merren tri pikët.
Këtë e di padyshim edhe trajneri Silvinjo i cili duket se do të ndjekë të njëjtën linjë lidhur me skemat dhe formacionin, edhe pse ka ndonjë dyshim.
Nëse nuk ka dyshime për portën dhe për mesin e fushës, ashtu si edhe për krahët e repartit difensiv, nuk mund të thuhet se braziliani ka vendosur për gjithçka.
Sipas burimeve pranë kombëtares, do të shikohet deri në fund nëse do të vazhdohet me Ajetin, siç ka ndodhur në ndeshjet e kaluara, apo do të aktivizohet titullar Ismajli, që po kalon formë shumë të mirë në Serinë A.
Po ashtu, në krahun e majtë ofensiv pritet të zgjidhet njëri prej Arbër Hoxhës dhe Myrto Uzunit. Natyrisht, Silvinjo ka në dispozicion edhe Bajramin e Asanin, por këta mund ta nisin nga stoli.
Të sigurt duken Broja djathtas dhe Manaj në qendër të sulmit, si dhe treshja e mesfushës Asllani-Shehu-Laçi, pavarësisht se Medon Berisha e Ramadani janë gjithashtu shumë në formë.
Besohet se në zgjedhjet e njeriut të stolit do të ndikojë edhe ndeshja e së dielës ndaj Anglisë në Tiranë, si dhe fakti se 3 lojtarë kuqezinj rrezikojnë pezullimin e pikërisht Mitaj, Shehu e Manaj.
Seanca stërvitore u mbajt pikërisht në stadiumin ku do të luhet ndeshja në orën 20:45, dhe trajneri Silvinjo I pati në dispozicion të gjithë lojtarët, të cilët janë në formë të mirë.
Shqipëria mund ta sigurojë që këtë të enjte kualifikimin për në plej ofin e Botërorit. Kjo do të ndodhte nëse kuqezinjtë fitojnë në Andorrë, dhe nëse Serbia barazon ose humbet në Londër ndaj Anglisë./abcnews.al

