Kombëtarja miqësore me Iranin, finalist i kupës së botës

schedule12:39 - 5 Dhjetor, 2017

schedule 12:39 - 5 Dhjetor, 2017

Ekipi përfaqësues duket se ka siguruar një tjetër miqësore. Kjo pas vizitës së presidentit të Federatës së Futbollit, Armand Duka, në Iran

Bashkëpunim për të ndihmuar kombëtaren.

Presidenti I Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, me gjasë I ka siguruar një miqësore ekipit përfaqësues në vizitën e punës në Iran.

Pas kontakteve më të hershme me ambasadorin iranian në Tiranë, Duka vizitoi Teheranin, ku u prit nga drejtuesit e federatës vendase, nënshkroi një marrëveshje me ta, si dhe diskutoi për një ndeshje përgatitore.

Besohet se gjithçka është vendosur, ndonëse mbeten për t’u përcaktuar hollësitë, pra se kur dhe ku do të luhet ky takim.

Një përgatitore e tillë është e rëndësishme për trajnerin e kombëtares, Kristian Panuçi, i cili kërkon kundërshtarë të fortë, siç ishte rasti i Turqisë së miqësores së fundit.

Kjo, pasi ai dëshiron që ekipi të bëhet gati për eleminatoret e ardhshme, me synim për t’u kualifikuar për në finalet e Europianit të vitit 2020.

Irani është një kundërshtar I nivelit të lartë, finalist I Kupës së Botës në Rusi vitin e ardhshëm.

Edhe iranianët kanë interes për sfidën me Shqipërinë.

Skuadra e trajnerit Karlos Keiroz është në grup me Spanjën dhe Portugalinë, pas shortit të hedhur në Kremlin, dy ekipe me të cilët Shqipëria është ndeshur së fundmi.

Kombëtarja pati një fitore dhe një humbje me Portugalinë në eleminatoret e Euro 2016-ës, si dhe u mund dy herë nga skuadra më e fortë e grupit, Spanja, në eleminatoret e Botërorit./abcnew.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!