Kombëtarja luan sot në 19:00 në Elbasan, miqësoren ndaj Norvegjisë

schedule11:46 - 26 Mars, 2018

schedule 11:46 - 26 Mars, 2018

Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, është shumë optimist në prag të miqësores ndaj Norvegjisë. Italiani tregon sesi do ta rreshtojë skuadrën, ndërsa nuk zbulon plotësisht formacionin.

Do të luhet në sulm.

Këtë pritet të bëjë kombëtarja në përballjen e sotme miqësore ndaj Norvegjisë në “Elbasan Arena” në orën 19:00.

Kristian Panuçi e ndjen veten më të fortë se kurrë në stolin kuqezi, diçka që nuk ngurron që ta thotë hapur.

Skuadra pritet të rreshtohet në fushë me skemën 4-3-3, ndërsa trajneri spjegon se cilat janë idetë e tij.

Panuçi: “Unë përpiqem të bëj atë që mund të bëjë skuadra. Nëse luaj me 4-3-3, do të thotë se mund të bëhet, apo mund të luaj me 4-2-3-1. Mendoj se kam një skuadër që mund të më japë shumë zgjedhje. Për momentin po provojmë 4-3-3, por kam edhe ide të tjera për të ardhmen. Aktualisht, jemi më mirë sesa ishim kur luajtëm ndaj Italisë. Nëse do të luanim tani ndaj Italisë, jam I bindur se nuk do të humbisnim”.

Skema është një gjë, dhe forma e lojtarëve diçka tjetër.

A mendon Panuçi, se kombëtarja është në gjendjen e duhur përballë norvegjezëve?

Panuçi: “Skuadra ka punuar mirë dhe me seriozitet, edhe pse nuk është një moment I lehtë I sezonit që lojtarët të largohen nga ekipet e tyre në klube, dhe të vijnë në kombëtare. Jemi gati për ta luajtur miqësoren, dhe jam I bindur se do të bëjmë një ndeshje të mirë. Përsa I përket formacionit, do t’ua them më përpara lojtarëve, por mund të them se me Lilajn e dëmtuar, do të luajë Ramadani, dhe unë kam besim se ai mund të bëhet lojtar I rëndësishëm për kombëtaren”.

Edhe pse nuk e tregon formacionin, sërish Panuçi, tregon diçka.

Panuçi:“Nuk kam ndërmend të ndryshoj asgjë. Synimi ynë është të fitojmë ndaj Norvegjisë, ashtu siç bëmë me Turqinë. Është e sigurt që për të ardhmen do të mendojmë edhe për dy ndeshjet e qershorit, dhe disa ide I kam që tani. Në ekip ka lojtarë që kanë luajtur pak në klubet e tyre, dhe unë pres që ata të luajnë më mirë se të tjerët, pasi unë po i ndihmoj”.

Kapiten ndaj Norvegjisë është Roshi.

Mungesa e Agollit, si dhe ato të Lilës dhe Berishës, ia kalojnë shiritin atij.

Roshi: “Nuk jam i habitur, por për mua është krenari. Ka një rregull dhe po zbatohet. Më shumë rëndësi ka ndeshja, por si kapiten dua të jap edhe më shumë”.

Kombëtarja, pra, pritet ta nisë takimin me skemën 4-3-3, ndërsa besohet se Panuçi ka të paktën dy dyshime, që të dyja në mbrojtje.

Për një vend luftojnë Ajeti e Gjimshiti, si dhe Aliji e Lenjani.

Në portë është i sigurt Tomas Strakosha, kjo edhe sepse Berisha ka ende një dëmtim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!