Kombëtarja gati për Poloninë/ Kuqezinjtë përgatiten për ndeshjen e dytë në grup në Euro2024

schedule13:32 - 9 Shtator, 2023

schedule 13:32 - 9 Shtator, 2023

Detyra e parë padyshim cilësohet e kryer, por tashmë vjen tjetra. Kombëtarja shqiptare u kthye nga Çekia ku barazoi 1-1 për eliminatoret e Kampionatit Europian, dhe pas shlodhjes zhvilloi seancën stërvitore të radhës, të parën nga dy gjithsej që ka në program për Poloninë.

Ndeshja luhet këtë të diel në 20:45 në “Arenën Air Albania”, dhe trajneri Silvinjo e di se duhet të bëjë zgjedhjet e duhura. Pavarësisht lodhjes së gati 100 minutave me ritëm të lartë në Pragë, sërish duket se braziliani nuk ka në plan të bëjë lëvizje të mëdha në formacion.

Sipas parimit, ekipi që fiton nuk ndryshohet, tekniku kuqezi do të ketë të paktën 9 lojtarë të njëjtë nga formacioni i së enjtes.

Zëvendësimet e vetme mund të jenë Myrto Uzuni në sulm për Taulant Seferin, dhe Ivan Balliu që mund të zerë vendin e Mario Mitajt në mbrojtje, edhe pse lojtari I Lokomotivës së Moskës u paraqit mjaft mirë.

Kombëtarja nuk do të ketë sërish mesfushorin Qazim Laçi, që nuk e kaloi dot gjendjen gripale që e pengoi në ndeshjen e kaluar, ndërsa Keidi Bare ka ende probleme fizike, por do të jetë pjesë e ekipit. Kuqezinjtë janë në vend të dytë në grup me 7 pikë, ndërsa Polonia i ndjek me 6./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!