Të gjithë këshillat bashkiakë sot janë mandatuar nga Kolegji Zgjedhor, i cili përfundoi shqyrtimin e të gjitha padive për 30 Qershorin. Tashmë hapi i radhës është betimi i kryebashkiakëve të rinj, ndërsa në Shkodër Valdrin Pjetri mundi Voltana Ademin në Gjykatë, duke u konfirmuar si kryebashkiak.
Kolegji Zgjedhor shpërndau sot mandatet për 14 këshillat e fundit bashkiakë, duke përfunduar shqyrtimin e 82 padive që u regjistruan pranë kësaj gjykate për 30 qershorin.
Prej votës kundër të Klement Zgurit, KQZ e kishte të pamundur që vetë të ndante mandatet e këshilltarëve.
“Sot përfunduan shqyrtimi në Kolegjin Zgjedhor të 61 kërkesë-padive që PS kishte depozutruar pranë kolegjit për shpërndarjen e mandateve të Këshillave Bashkiakë. Përfundoi dhe padia e fundit, kështu që nga ky moment përfundon në fazën tjetër procedurale që është konstituimi i këshillave bashkiakë sipas ligjeve”.
KQZ do të zhvillojë të shtunën paradite mbledhjen e fundit për këto zgjedhje, për të miratuar tabelën përmbledhëse përfundimtare të rezultateve. Ndërkohë, vijon puna në gjykatat e rretheve për konfirmimin e kryebashkiakëve. Në Shkodër Valdrin Pjetri, mundi Voltana Ademin.
“Na pret punë e madhe për Shkodrën që duam, për bashkinë që duam”, tha Pjetri.
Gjykata ende nuk ka folur për kryebashkiakun e Kamzës, ndërsa të martën do të shqyrtohet për herë të dytë në Gjykatën e Tiranës, fati i kryebashkiakut të Vorës. Kërkesa e Agim Kajmakut nuk u pranua nga një gjyqtare, por tashmë shkresa është përsëritur nga vetë kryesocialisti Rama dhe do të shqyrtohet nga një tjetër gjyqtar. /ABC News Albania 24/7