Një 40 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi akuzohet për shitje të lëndëve narkotike dhe të armëmbajtjes pa leje. Sipas policisë në kuadër të operacionit të koduar “Brryli”, është bërë I mundur ndalimi i 40 vjeçarit të cilit në makinë dhe në banesë i janë gjetur droga të forta, armë zjarri, armë të ftohta dhe sende të kundërligjshme.
Ndalimi i tij është bërë në bulevardin “Bajram Curri”, pas shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin, në të cilin kanë gjetur dhe sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe heroinë, 1 thikë dhe 1 palë dylbi.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 pushkë pneumatike, 1 armë zjarri pistoletë, 1 dorezë me mekanizëm si pistoletë për të realizuar qitje, 1 shënjestër optike, 1 thikë dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al