Kokaina në Durrës, si e futi policia në kurth skuadrën e monitorimit te skaneri

schedule09:18 - 4 Nëntor, 2022

schedule 09:18 - 4 Nëntor, 2022

Si rezultat i kontrollit me qen anti-drogë, shërbimet e policisë në Durrës konstatuan në 2 arka bananesh, 31 pako të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë totale 33.5 kilogramë.

Skuadra e monitorimit të skanerit ishte prej disa kohësh në hetim nga policia pasi kishte dyshime se punonjësit toleronin direkt ose indirekt që disa konteiner të konsideruar si konteiner risku (ata që vijnë nga Amerika Latine) nuk kontrolloheshin në mënyrë të detajuar sipas udhëzimeve.

Në këto kushte, duke pasur informacion se në një konteiner me banane kishte lëndë narkotike dhe në skaner rezultoi i pastër nisën aksionin e dytë me kontroll të detajuar me anë të qenit antidrogë, i cili arriti të zbulonte se arkat me banane ishin të mbushura me Kokainë. Menjëherë u urdhëruar shoqërimi i të gjithë skuadrës së monitorimit të skanerit, te cilët konsiderohen përgjegjës për lejimin e kokainës.

“Kishim informacione se skuadra e monitorimit të skanerit ishte e implikuar direkt ose indirekt. Ndaj edhe nisëm hetimin i cili rezultoi efikas. Çuditërisht nga skaneri konteineri doli i pastër, kjo s’ka asnjë mundësi të ndodhi pasi skaneri është supermodern”, thanë burime nga grupi hetimit.

Njoftimi: 

Port, Durrës – Vijon operacioni policor i koduar “Again”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta.

Operacioni u zhvillua nga strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare në Port Durrës, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit.

Vihet në pranga administratori i kompanisë që priste ngarkesën me banane, brenda së cilës Policia gjeti 33.5 kilogramë kokainë.

Shpallet në kërkim presidenti i kësaj kompanie.

Në pranga edhe 2 punonjës të skanerit, në Portin e Durrësit.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera nga strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për zbardhjen e rastit të trafikimit të 33.5 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, që u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, gjatë operacionit policor të koduar “Again”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

P. D., 57 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i kompanisë që kishte porositur ngarkesën me banane, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”;

A. N., 48 vjeç, banes në Tiranë, me detyrë operator skaneri, në Portin e Durrësit, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsfikimi kompjuterik”;

A. S., 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë imazhier skaneri, në Portin e Durrësit, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Flasifikimi kompjuterik”.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi T. M., 53 vjeç, banues në Tranë, president i kompanisë pritëse të ngarkesës me banane. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij.

Arrestimi i 3 shtetasve dhe shpallja në kërkim e presidentit të kompanisë, u bënë në kuadër të operacionit policor të koduar “Again”, gjatë të cilit, shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën informative që dispononte Policia e Shtetit, se në një kontenier me ngarkesë bananesh, për llogari të një kompanie në Tiranë, kishte lëndë narkotike, ushtruan kontroll të imtësishëm me qen antidrogë, pavarësisht se skaneri e nxorri të pastër ngarkesën me banane.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar trafikimin e 33.5 kg kokainë, nga Ekuadori në drejtim të Portit të Durrësit.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, strukturat hetimore të DVP Durrës vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!