Kohë ndryshimi në Kubën komuniste, zgjerohet aksesi në internet

schedule09:11 - 18 Korrik, 2018

schedule 09:11 - 18 Korrik, 2018

Autoritetet në Kubë kanë hedhur një tjetër hap drejt hemisferës perëndimore, duke zgjeruar aksesin në internet për përdoruesit e telefonisë së lëvizshme. Për momentin shërbimi ofrohet për klientë të përzgjedhur, por brenda vitit synohet që ai të arrijë tek 5 milionë abonentë.

Me largimin e regjimit të vëllezërve Castro, Kuba ka hyrë në rrugën e ndryshimeve. Një nga lëvizjet e fundit të pushtetit të ri të udhëhequr nga presidenti Migel Diaz Kanel është ofrimi i shërbimit të internetit në telefonët celularë. Për momentin shërbimi ofrohet për përdorues të përzgjedhur, por qeveria synon që brenda vitit ai të përhapet në shkallë kombëtare.

Gazetarët e mediave shtetërore ishin të parët që këtë vit siguruan shërbime interneti në telefonët e tyre, të ofruar nga e vetmja kompani telefonike e vendit, ETECSA. Për presidentin Kanel, aksesi në botën online do të shërbejë për të nxitur ekonominë e Kubës dhe do të ndihmojë kubanezët në mbrojtjen e parimeve të revolucionit.

Analistët vlerësojnë se zgjerimi i aksesit në internet do të dobësojë kontrollin e qeverisë mbi informacionin që shkon tek qytetarët. Në vendin me një parti të vetme, mediat janë monopol i shtetit dhe aktualisht autoritetet mbajnë të bllokuar aksesin në faqet e internetit të disidentëve. Klientë të caktuar, përfshirë stafet e kompanive dhe ambasadave, janë pajisur gjithashtu me shërbim interneti që prej dhjetorit të kaluar, por deri më sot gjithçka është mbajtur e fshehtë.

Kompania ETECSA synon që brenda këtij viti ta zgjerojë internetin për telefoninë e lëvizshme deri në 5 milionë përdorues, që janë thuajse gjysma e popullsisë së Kubës. Nuk dihet nëse kjo lëvizje vjen si pasojë e mungesës së likuiditetit për shkak të embargos së gjatë të tregtisë të vendosur nga Shtetet e Bashkuara, por pa dyshim ajo përbën një hap të mëtejshëm drejt hemisferës perëndimore. Deri në vitin 2013 në Kubë interneti ofrohej vetëm për turistët që ndalonin në hotelet shtetërore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!