Barcelona mundi të marrë mbrëmjen e djeshme një fitore me shumë vlera dhe të rëndësishme për garën për titullin kampion. Katalanasit mundën me vështirësi Getafen me shifrat 5-2, me madrilenët që i vunë në vështirësi deri në minutat e fundit, kur Barça shënoi dy gola.
Pas ndeshjes për mediet foli trajneri Ronald Koeman, që kishte rezerva për lojën e skuadrës veçanërisht në pjesën e dytë, kur Getafe rrezikoi të barazonte me shifrat 3-3.
“Në pjesën e dytë treguam se nëse e ulim ritmin dhe shpejtësinë e qarkullimit të topit, do të jetë e vështirë për ne të fitojmë ndeshjet dhe çdo rival mund të krijojë probleme.
Në pjesën e dytë nuk luajtëm mirë dhe fajtori jam unë. Pique e nxora pasi ramë dakord me të dhe Lenglet e zëvendësova për kartonë. Lojtarët e tjerë meritojnë të luajnë gjithashtu.
Është turp që në pjesën e dytë vuajtëm sepse ishim 3-1 dhe në një ndeshje si kjo nuk duhet të kishte problem. Jam i kënaqur me pjesën e parë sepse krijuam thellësi në sulm dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Kishte momente mbrapa kur as Araujo dhe as Mingueza nuk ishin mirë. Minguezan nuk e zëvendësova sepse isha i zemëruar me të, pasi ai po bën sezon të shkëlqyer, por duhet të mësojë më shumë taktikë sepse kemi luajtur me tre mbrojtës.
Të rinjtë duhet të mësojnë se te Barcelona duhet të luash mirë në çdo ndeshje. Jo vetëm Mingueza e Araujo, por Pedri nuk ka luajtur mirë sonte. Nuk mendoj se jemi më të forte se Real e Atletico, të gjithë janë në moment të mirë dhe në fund do vendoset gjithçka.
Nuk mund t’ju them nëse kam folur me Messin për të ardhmen e tij, vendimi i takon atij. Ne kemi nevojë për të dhe shpresoj të vazhdojë edhe për disa vite. Busquets është shumë i zgjuar, mund të kalojë mes linjave, është i rëndësishëm prej mënyrës si sillet në fushë”, u shpreh Koeman. /abcnews.al