Koeman flet hapur: Ishim larg nivelit tonë, Dembele dua të qëndrojë

schedule13:17 - 6 Prill, 2021

schedule 13:17 - 6 Prill, 2021

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, është shprehur shumë i lumtur pas fitores 0-1 në transfertën e Real Valladolid. Holandezi e pranon se nuk ishte ndër paraqitjet më të mira të ekipit të tij, por rëndësi kanë tre pikët e marra. Në fund ai komenten edhe përballjen e radhës me Real Madrid, të cilën e konsideron thelbësore në garën për titullin kampion.

“Na mungoi shumë goli në pjesën e parë. Nuk i shfrytëzuam mirë rastet që patëm. Pashë një Barcelonë të ngadaltë dhe të lodhur që nga fillimi. Ne nuk e kontrolluam lojën dhe u detyruam të ndryshonim sistemin tonë e u përmirësuam në pjesën e dytë.

Ishte një ndeshje e vështirë dhe ne ishim larg nivelit tonë. Real Valladolid bëri një punë të mirë në mbrojtje, por ne e merituam të fitonim. Djemtë treguan se janë të aftë të merrnin tre pikët”, deklaron holandezi.

 

“Nuk i pashë të freskët lojtarët, ndoshta dhe nga ndeshjet e kombëtareve. Disa herë fati është me ne, disa herë jo, por më pëlqeu mentaliteti i ekipit. Dembele? Ai është një lojtar i rëndësishëm për ne. Këtë gjë e tregoi me paraqitjen dhe golin që na dha tre pikët. Dua të qëndrojë.

El Clasico? Na pret një ndeshje e rëndësishme si gjithmonë, por tashmë ka një rëndësi më të madhe duke parë situatën ku jemi. Një rezultat i mirë do të na ndihmonte në garën për titullin”, përfundon Koeman. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!