Koço Devole në gjendje të rëndë shëndetësore, flet për ABC i biri: Trupi po reagon mirë

schedule18:20 - 1 Nëntor, 2020

schedule 18:20 - 1 Nëntor, 2020

Aktori i njohur i humorit Koco Devole ndodhet në gjendje të rënduar për shkak të Covid, në Spitalin Infektiv.

ABC kontaktoi me djalin e aktorit të njohur, i cili me anë të një lidhjeje telefonike, njoftoi se aktori në këto orë të fundit po reagon mirë dhe është duke u trajtuar për pasojat e sëmundjes, pasi sipas tij, Devole është konfirmuar negativ ditën e djeshme por gjendja shëndetësore është rënduar si pasojë e sëmundjes së leucemisë që aktori vuante më herët.

LEXO edhe: Rëndohet edhe më tej gjendja shëndetësore e Koço Devoles, aktori edhe me sëmundje të tjera

“Për aq sa më kanë informuar, gjendja është stabël. Mjekët më thanë që trupi po reagon mirë në këto momente. Mbrëmë morëm përgjigjen se ishte konfirmuar negativ për covid-19, ndërkohë që u rëndua për shkak të leucemisë dhe u pa e arsyeshme që ai të rikthehej në spital.

Mjekët mendojnë se është shkak kjo sëmundje që ai u rëndua. Babai vendosi vetë të trajtohet tek Infektivi, se kishte shumë besim te mjekët shqiptarë. Komunikimet me mjekët janë të vazhdueshme të cilët kanë qenë shumë disponibël. Momentalisht është edhe motra në Tiranë, ndërkohë që mamaja është në SHBA. Nuk e dimë ende se sa kohë duhet që babai të përmirësohet.”, thotë i biri i Devoles.

Ndërkohë ABC ka siguruar edhe një foto të aktorit brenda spitalit Infektiv në krah të mjekut infeksionist Pëllumb Pipero.

Koço Devole është një nga personalitet më të njohura të humorit shqiptar.

Përveçse është një aktor i shkëlqyer humori, Devole është karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh.

n.d./abcnews.al