TIRANË- Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu është takuar me banorët e pallatit që u përfshi nga flakët në zonën e “Farmacia 10”, duke u garantuar atyre mbështetje të plotë deri në rikthimin e banesave në gjendjen e mëparshme.
Gjatë takimit, Koçiu theksoi se kompania e ndërtimit do të marrë përsipër rikonstruksionin e apartamenteve, duke i kthyer ato në standardin për të cilin banorët kanë paguar.
Nga ana tjetër, Koçiu u shpreh se Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion instrumente mbështetëse si bonus qiraje dhe mundësi akomodimi për familjet e prekura. Po ashtu, përmes mekanizmave të emergjencave civile do të bëhet vlerësimi i dëmeve në orendi dhe do të sigurohen dëmshpërblimet përkatëse.
Autoritetet shprehen të angazhuara për të ndjekur situatën deri në zgjidhjen e plotë të saj dhe rikthimin e normalitetit për banorët e prekur.
“Ajo që unë kam ardhur sot që të them para jush, është garancia se ne do të na keni në krah deri sa pallati të kthehet në gjendjen për të cilin ju keni paguar.
Firmat e ndërtimit merr përsipër për të rikthyer të gjithë apartamentet në gjendjen që ju i keni blerë.
Bashkia e Tiranës nga ana tjetër ka aktivizuar instrumentet e saj si bonus qiraje, akomodim nëse do pranohet nga ju, dhe në ndërkohë instrumentin e emergjencave civile, që i jep përgjigje asaj pyetjes së orendive, ku do bëhen vlerësimet dhe do bëhen dëmshpërblimet përkatëse.”, tha ajo./abcnews.al