Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e komisionit evropian, Maja Koçijançiç, u shpreh se samiti i Berlinit tregoi qartë mbështetjen e Bashkimit Evropian për lehtësimin e dialogut Kosovë – Serbi.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç, ka deklaruar se takimi i Berlinit, BE- Ballkan ka përçuar një sinjal mbështetjeje për më shumë angazhim nga Bashkimi Evropian për lehtësimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit.
Koçijançiç ka nënvizuar, se puna dhe përpjekjet e Bashkimit Evropian në këtë drejtim do të vazhdojnë edhe në takimin e liderëve të Ballkanit në 8 dhe 9 maj në Tiranë në kuadër të procesit të Brdo-Brionit. Koçijaniç këtë deklaratë e ka bërë gjatë konferencës së mesditës së Komisionit Evropian.
“Takimi në Berlin prodhoi një sinjal të qartë për mbështetjen e mëtejshme dhe me më shumë angazhim lidhur me vazhdimin e lehtësimi të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Kjo është e rëndësishme, sepse çdo angazhim për lehtësimin nga BE-ja të bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit është i mirëpritur. Kjo nënkupton se do ketë takime të mëtejshme për dialogun. Çdo takim në këtë kuadër ndihmon dhe shihet si kontribut për mbështetjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Puna dhe kontaktet midis palëve vazhdojnë. Mogherini do jetë me liderët e Ballkanit pas dhjetë ditësh në Tiranë për procesin e Brdo-Brioni, ku pritet që të vazhdojë kontaktet edhe lidhur me dialogun Prishtinë-Beograd. Si u vutë në dijeni, ajo është takuar me liderët e Ballkanit në Berlin”, deklaroi Koçijançiç.
Procesi i Brdo-Brionit ka lindur zyrtarisht në 20 mars 2010 si një iniciativë e përbashkët e Sllovenisë dhe Kroacisë për të forcuar bashkëpunimin rajonal të vendeve të Ballkanit dhe përshpejtuar avancimin e vendeve në kuadrin e reformave të integrimit evropian./ABC News Albania 24/7