KLP nis sezonin e ri, Ibrahimi: Dy sfidat, ngritja e SPAK e Prokurori i Përgjithshëm

schedule11:00 - 2 Shtator, 2019

schedule 11:00 - 2 Shtator, 2019

Ngritja e SPAK dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm janë dy prioritetet bazë të punës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë në këtë sezon të ri. Në mbledhjen e sotme u miratua edhe buxheti afatmesëm i këtij institucioni deri në vitin 2022.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur pas pushimeve të verës, duke nisur sezonin e ri. Dy sfidat kryesore të KLP-së në këtë sezon janë ngritja e SPAK dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm.

Gent Ibrahimi, kreu i KLP u shpreh gjatë mbledhjes së sotme së Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vazhdojë një proces transparent dhe eficent për vlerësimin e magjistratëve me profil prokuror.

Burime zyrtare nga KLP, konfirmuan se fillimisht Struktura e Posaçme Antikorrupsion mund të ngrihet edhe me më pak se 10 anëtarë. Sipas kryetarit Gentjan Ibrahimi 5 nga 15 kandidatët e përzgjedhur janë të konfirmuar zyrtarisht nga të dyja shkallët e vettingut, ndërkohë po pritet zbardhja e vendimit edhe për 3 të tjerë.

Kurse Besnik Muçi dhe Manjola Kajana janë ankimuar nga Komisioneri Publik. Ndërkohë 5 kandidatët Elisabeta Ymeraj, Anton Martini, Ndini Tavani, Anita Jella dhe Doloreza Musabelliu nuk kanë dalë akoma në Vetting.

Sfida tjetër e Këshillit të Lartë të Prokurorisë është ajo e pikëzimit të 4 kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. KLP po pret zbardhjen e vendimit të kandidatit Olsian Çela dhe më pas ka 15 ditë kohë për të parë nëse Komisioneri Publik do të bëjë ankimim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Ndërsa Arta Marku dhe Fatjona Memçaj e kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit, kurse për avokat Lulëzim Alushaj Vettingu do të bëhet nga Qeveria e Prokurorëve.

Po në mbledhjen e parë të këtij sezoni Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi me 10 vota buxhetin e tij afatmesёm për periudhën 2020-2022. Ky buxhet dedikohet për pagat e prokurorëve dhe stafit, shpenzimet operative dhe investimet.

Në vitin 2020 buxheti për KLP do të jetë rreth 240 milionë lekë, ndërsa dy vitet e tjera do të jetë më i ulët. Konkretisht në vitin 2021 do të jetë 165 milionë lekë dhe në vitin 2022 do të jetë 160 milionë lekë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!