KLP miraton listën e kandidatëve për kryeprokuror

schedule13:01 - 29 Tetor, 2019

schedule 13:01 - 29 Tetor, 2019

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar sot në mbledhjen e radhës e zhvilluar në sallën e mbledhjeve në Prokurorinë e Përgjithshme listën me emrat e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të cilët plotësojnë kushtet ligjore pas vlerësimit paraprak. Mbledhja është mbajtur në praninë e 9 anëtarëve dhe në mungesë të anëtarëve Besnik Cani dhe Nurihan Seiti.

“Në bazë të nenit 148/a të Kushtetutës, të nenit 22 të ligjit nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe nenit 17/pika 4 të rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi miratimin e listës me emrat e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të cilët plotësojnë kushtet ligjore sipas rendin alfabetik si më poshtë:

  1. Arta Marku
  2. Fatjona Memçaj
  3. Olsian Çela”, thuhet në një njoftim të KLP-së.

Kandidatët të listuar në këtë vendim do të vazhdojnë garën e mëtejshme për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ky vendim është miratuar me shumicë votash. Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në vijim të procesit të vlerësimit të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, njofton se në datën 13 nëntor 2019 duke filluar nga ora 9:30 do të zhvillohen intervistat me të tre kandidatët në garë sipas rendit alfabetik. /abcnews.al