KLP kthen tek Krimet e Rënda prokurorët Hajdarmataj e Çela

schedule12:32 - 21 Janar, 2019

schedule 12:32 - 21 Janar, 2019

Mes debatesh të forta Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të kthejë tek Krimet e Rënda prokurorët Olsian Çela dhe Besim Hajdarmataj. Ata ishin transferuar në Berat dhe Pogradec, me urdhër të Prokurores së Përgjithshme Arta Marku, pasi refuzuan shortin e bërë nga drejtuesja e Krimeve të Rënda, Donika Prela, për dosjen “Shullazi”.

Pas dy mbledhjeve relativisht të qeta, e treta në radhë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë u shoqërua me debate të forta.

Për herë të parë nga konstituimi, përfqësuesit prokurorë dhe ata nga jashtë sistemit në Këshillin që luan rolin e qeverisë së prokurorisë, u vunë në dy fronte.

Shkak u bë shqyrtimi i kërkesës së prokurorëve Olsian Çela dhe Besim Hajdarmataj për deklarimin e përfundimit të afatit 3 mujor të transferimit në prokuroritë e Beratit dhe Pogradecit. Më herët, edhe një vendim i Gjykatës Administratie shfuqizoi urdhrat e Prokurores së Përgjithshme të Përkoshme Markut.

Antoneta Sevdari: Ne kemi çmuar që këto faktime të përkohshme duhet të ndërpriten dhe prokurorët të kthehen në pozicionet e tyre.

Konkluzioni i anëtares Antoneta Sevdari, kryetare e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës hasi në kundështinë e anëtarëve të tjerë, kryesisht atyre jo prokurorë.

Tartar Baze: Pa u shteruar rrugët ligjore ne nuk kemi kompetenca. Unë e nderuar zonja kryetare jam kundër këtij propozimi.

Bujar Sheshi: Këtu jemi në një situatë ligjore që nuk mund ta zgjidhim, nuk mund të bësh transferim të përkohshëm sepse nuk ke miratim të dy personave dhe atëherë duhet t’i japësh rrugë situatës konkrete se ku do punojnë këta prokurorë.

Tartar Baze: Kush i ndaloi që të kërkonin heqje dorë nga e drejta e padisë që në momentin kur u konsolidua KLP.

Besnik Cani: Unë nuk po iu them që ta destabilizojmë Prokurorinë që të vendosim sot dhe t’i ndërpresim të gjitha.

Gent Osmani: Unë mendoj që situata faktike i takon një transferimi papëlqim. Prokurorët nuk kanë dhënë pëlqimin e tyre.

Antoneta Sevdari: Ne duhet menjëherë të merremi me çdo lloj caktimi të përkohshëm, por nuk mendoj që t’i biem me një spatë dhe sot t’i ndërpresim sepse nuk e bëjmë dot këtë pasi mëndojmë se do ta fusim në Prokurorinë në kolaps.

Alfred Balla: Duhet t’i trajtojmë vetëm këta dy kërkesa nga këtë dy prokurorë apo ata qe tha Cani se ne duhet t’i japim zgjidhje afatgjatë këtij problemi.

Nurihan Seiti: Duhet pritur vendimi i Gjykatës së Apelit, sepse nëse Gjykata e Apelit mban një vendim ndryshe nga ne sot do ishte mungesë serioziteti.

Debatet u mbyllën me një votim gjashtë me pesë, në favor të kthimit të dy prokurorëve tek Krimet e Rënda. Kundër votuan anëtarët Besnik Cani, Tartar Bazaj, Nurihan Seiti, Gent Ibrahimi dhe Alfred Balla.

Në të njëjtën mbledhje, KLP vendosi krijimin e një strukture ndihmëse me gjashtë prokurorë pranë Këshillit, si edhe nisjen e procedurës për plotësimin e vendeve përmes komandimit. Këshilli riktheu në Prokurorinë e Beratit, prokurorin Olger Rumnica, i komanduar me herët në Shkodër, si edhe komandoi përkohësisht prokurorin Isa Jata në Apelin e Krimeve të Rënda./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!