KLP çel sot garën për Prokurorin e Përgjithshëm

schedule09:44 - 19 Mars, 2019

schedule 09:44 - 19 Mars, 2019

Hap pas hapi Këshilli i lartë i prokurorisë po i afrohet hapjes së garës për zgjedhjen e Prokurorit të përgjithshëm. Këtë të martë me vendim unanim Këshilli miratoi rregullore mbi kriteret dhe procedurën për zgjedhjen e kandidatëve për Prokurorin e Përgjithshëm me mandat 7 vjeçar. Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë sqaroi se kur do të mësohen të gjithë kandidatët që do të garojnë për këtë detyrë.

“Nuk është hapur gara. Ne duhet ta dimë se kush është i interesuar për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm kur të shpallim garën dhe kur të përfundojë ai 30 ditëshi në orën e fundit të ditës së punës atëherë do e dimë se kush ka interes”, tha Ibrahimi.

Ka disa kritere për përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, disa prej të cilave janë të detyrueshme thotë Gent Ibrahimi.

“Duhet të ketë patjetër titullin Doktor i Shkencave që është një kusht për të hyrë në garë. Po nuk e pate këtë nuk hyn në garë, kurse titujt e mëtejshëm akademikë janë faktorë për të marrë maksimumin dy pikë të tjera”, tha kreu i KLP-së.

Pasi përzgjedh 3 kandidatë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ia kalon listën Kuvendit, i cili duhet të zgjedhë njërin prej tyre me 3 të pestat e votave.

“Në kushtet e mungesës së një shumice të posaçme në Kuvend me gjasë do ti takojë KLP-së të jetë vendimtar, pra presioni do të rrjedhë së pari prej nesh”, tha ai.

Nuk dihet saktësisht se kur do të përfundojë e gjithë procedura, por kreu i KLP-së shprehet optimist.

“Procesi do të përfundojë për dy muaj e gjysmë për sa kohë na takon ne. Pastaj fillon procesi parlamentar. Nuk e di nëse do ketë kohë të konsumohet brenda kësaj legjislature shpresoj që Po”, tha Ibrahimi.

Mësohet se Arta Marku, Prokurore e Përkohshme, në detyrë do të jetë një prej aplikantëve për mandatin 7-vjeçar. Për postin e kryeprokurorit kanë shprehur interes për të garuar disa prokurorë, si Olsi Çela, Plarent Ndreca dhe ish-kreu Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Adnan Xholi.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar edhe rregulloren mbi kriteret e ngritjes në detyrë të prokurorëve të SPAK. Kandidatët duhet të kenë kaluar të dyja proceset e Vettingut. Aktualisht janë duke u verifikuar nga KLP nëse të 27 kandidatët i plotësojnë kushtet ligjore për prokurorë të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Lista zyrtare do të shpallet dy ditë pasi rregullorja e miratuar të botohet në fletoren zyrtare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!