Ministri për Mjedisin dhe Turizmin, Blendi Klosi, në një takim të organizuar me ekspertë të huaj dhe shqiptarë sa i përket trajtimit të ujit deklaroi se subjektet, të cilat nuk përdorin një sistem të tillë deri në datën 1 Qershor do u revokohet leja mjedisore.
Të gjithë subjektet që nuk vendosin një sistem për trajtimin e ujërave të ndotura deri në datën 1 Qershor do u revokohet leja mjedisore. Alarmin e dha ministri i Turizmit, Blendi Klosi, në një takim organizuar me ekspertë të huaj dhe shqiptarë, të cilët prezantuan modele europiane.
Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisi: “T’u ribëj edhe një herë thirrje të gjithë subjekteve që në rastin konkret, për të cilin po diskutojmë kemi trajtimin e ujërave të zeza, janë në kohë që të fillojnë të studiojnë, të gjejnë një zgjidhje të tyre brenda kushteve të cilat ata zhvillojnë aktivitetin, brenda mundësive financiare dhe kapaciteteve të tyre të zhvillimit, por në asnjë rast nuk do të lejohen që të derdhin më ujërat e zeza në lumenj apo në ujërat e zeza në det”.
Problemi vjen nga burimi. Vetëdeklarimi i 800 subjekteve që shfrytëzojnë ujin e lumenjve është në masën 100% të trajtimit të ujit. E pamundur kjo krahasuar me realitetin dhe për këtë po bëhet një studim i plotë, tha Blendi Klosi./abcnews.al