Tashmë Ministria e Mjedisit dhe Prefektët kanë një hartë reale për venddepozitimet e mbetjeve urbane. Shumica e tyre sipas ministrit Blendi Klosi nuk plotësojnë standardet mjedisore.
“Në 300 venddepozitime të mëdha dhe të vogla në vendin tonë vërejmë atë që të konstaton edhe strategjia që shumë pak prej tyre kanë standarte mjedisore për të qenë landfille dhe vendgrumbullime të vërtetë të mbetjeve urbane“.
Strategjia kombetare per menaxhimin e integruar te mbetjeve dhe plani i veprimit deklaroi ministri Klosi paraqesin zgjidhje konkrete.
“Është në proces miratimi rivlerësimi i kritereve mjedisore që duhet të ketë një pikë grumbullimi mbetjesh urbane për ta bërë atë reale, pasi realiteti e ka treguar që në Shqipëri ne vazhdojmë të luftojmë për landfille të mëdha apo incineretorët dhe fatkeqësisht kemi harruar vendgrumbullimet e cdo fshati, cdo bashkie të vogël apo të mesme për të shkuar pastaj në landfillet apo në ato zonat e mëdha të menaxhimit të mbetjeve urbane.”
Ndërkohë dy projektvendime, për ndalimin dhe prodhimin e qeseve plastike të patretshme dhe ai për unifikimin e kosto- tarifës së menaxhimit të mbetjeve urbane janë gati per miratim në Këshillin e Ministrave.
“Kemi një dakordësi nga Sekretariati i Pushtetit Vendor pra kemi një dakordësi nga implementuesit, dhe besoj shumë shpejt do të kalojë në qeveri, duke e bërë këtë një arritje edhe të kësaj strategjie ndonëse ajo nuk është miratuar akoma.”
Ndër masat konkrete të ndërmarra në kuadër të kësaj strategjie ministri Klosi përmendi edhe organizimin e aksionit “Pastrojmë Tokën që duam” në datat 16-22 prill.
Kreu i Turizmit dhe Mjedisit kërkoi mbështetjen e të gjithë partnerëve për t’u përfshirë në këtë aksion që synon të pastrojë shtretërit e lumenjve dhe vijën bregdetare./abcnews.al