Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka marrë pjesë në mbjelljen e 110 fidanëve në Bashkinë e Shijakut. Ministri Klosi përsëriti thirrjen që të gjithë t’i bashkohen Ditëve të Pemëve në 23 dhe 24 shkurt.
Kumbullat e kuqe kanë shkuar edhe në Shijak.
110 fidanë të tilla u mbollën në një nga rrugët kryesore të qytetit duke konkretizuar kështu marrëveshjen e nënshkruar pak kohë më parë midis një biznesi dhe bashkisë Shijak për fondin e pyllëzimit në kuadër të detyrimeve që biznesi ka ndaj mjedisit.
“Projekti do të vazhdojë në çdo cep të qytetit për të shtuar gjelbërimin. Po ashtu me bashkinë po shikojmë mundësinë për të krijuar disa parqe rekreative edhe në kuadër të projektit tonë të 100 fshatrave, ku 2 nga fshatrat e Shijakut, janë zgjedhur si fshatra pilot për bukuritë natyrore që ofrojnë dhe për mundësitë e shkëlqyera që kanë për agroturizëm”.
Ministri Klosi tha se me kryebashkiakun Kokomani është hartuar një plan për përfshirjen e të gjithë komunitetit shijakas, në datën 23 dhe 24 shkurt, në Ditët e Pemëve.
“Pemët i dedikohen natyrës, i dedikohen familjes, fëmijëve që kanë në emigracion, njerëzve që kemi humbur në jetë, për t’i kujtuar ata. Pema është një simbol i gjallë i rikrijesës dhe i kujtesës. Ndaj jo vetëm dashuri për mjedisin, por edhe dashuri për familjen, për njerëzit. Kjo është thirrja jonë”- apeloi ministri Klosi.
Kryebashkiaku Ardian Kokomani bëri me dije se aksioni i mbjelljes së pemëve do të vijojë edhe në 3 rrugë të tjera të qytetit ku do të mbillen 200 fidanë bliri dhe rrapi, kontribut i ministrisë të Turizmit dhe Mjedisit. /abcnews.al