Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi nxit përpunuesit e produkteve shqiptare të shfrytëzojnë lehtësitë fiksale për të rritur ekonominë e tyre familjare. Ministri Klosi ishte në Velipojë ku vizitoi panairin e artizanatit.
Artizanati, prodhimet e kulinarisë dhe prodhimet e traditës, janë një tjetër mundësi punësimi brenda industrisë së turizmit. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi vizitoi panarin e artizanatit, të zhvilluar në shëtitoren e re të Velipojës.
Aty nxiti përpunuesit e produkteve shqiptare të shfrytëzojnë lehtësitë fiksale të ligjit të zejtarisë dhe atij për agroturizmin, për të rritur ekonominë e tyre familjare.
“Zona e Velipojës, zona e Shëngjinit, gjithë zona në të cilën ne po zhvillojmë këto aktivitete ka shumë për të promovuar, nuk ka vetëm turizmin e detit dhe të rërës, por ka disa pika të cilat në kuadër të projektit të qeverisë shqiptare afrohen si agroturizëm dhe sot këtu janë afruar disa nga këta prodhues. Shikoj me kënaqësi që për turistët e huaj kjo është një surprizë dhe mendoj që do të vazhdojmë me këto aktivitete gjatë gjithë zonës turistike të Shkodrës, duke vazhduar me Festën e Krapit në Shirokë e më pastaj për të shkuar në Panairin e Kulinarisë që do të zhvillohet në shëtitoren e qytetit të Shkodrës”- tha ministri Klosi.
Ministri i Turizmit siguroi se festat lokale dhe aktivitete të tilla do të vijojnë deri në fund të sezonit turistik në mbarë vendin me qëllim promovimin e agroturizmit dhe të traditës. /abcnews.al