Klosi në Gjirokastër: Së shpejti miratojmë paketën fiskale për agroturizmin

schedule11:43 - 24 Maj, 2018

schedule 11:43 - 24 Maj, 2018

Një paketë fiskale me reduktim taksash për të nxitur agroturizmin do të kalojë së shpejti në qeveri. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi e bëri të ditur gjatë një vizite në një sipërmarrje agroturistike në Gjirokastër.

Lehtësira fiskale shtesë do të ketë për bizneset agroturistike që zhvillojnë këtë lloj turizmi. Ftesën për të aplikuar për të përfituar nga paketa fiskale që do të miratohet së shpejti nga qeveria ua bëri nga Gjirokastra ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

“Duhet që në zonat ku ju kaloni të keni po ashtu edhe iniciativat e para të agroturizmit. Ne kemi një paketë fiskale e cila do të kalojë së shpejti në qeveri dhe që do të kërkojë që për agroturizmin ne të kemi një reduktim të sistemit të taksave për t’i nxitur ata që të ecin sa më shumë përpara, por më shumë se kaq ne na duhet që të kemi për turistët edhe alternativa të tjera”.

Ministri Klosi shpjegoi se qëllimi kryesor i lehtësirave fiskale shtesë për bizneset agroturistike është zhvillimi i zonave rurale.

 “Është në fakt kjo e gjithë politika që ne po ndërtojmë që pasi bëmë Rilindjen Urbane në qytet, ne të zhvillojmë rilindjen rurale duke ndërtuar pole të zhvillimit të zonave tona rurale ku kemi të kombinuara bukuritë e natyrës por edhe prodhimet e vendit dhe argëtimet për turistët”.

Sipas Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Gjirokastra i ka të gjitha mundësitë për të zhvilluar një turizëm të diversifikuar që të përfshijë jo vetëm bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore, por edhe pikat agroturistike dhe turizmin familjar. /abcnews.al