Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi gjatë një takimi me të rinjtë e projektit tashmë dy-mujor “Smile Albania” në një kamp veror në Jalë, pasi i kërkoi të rinjve angazhim të shtuar për ditët e mbetura të gushtit, ka njoftuar edhe zgjatjen e këtij projekti përtej sezonit turistik veror.
Të rinjtë e Smile Albania zhviluan një takim me ministrin e turizmit Blendi Klosi në Jalë. Gjatë bashkëbisedimit në ambjentet e një kampingu ministri theksoi nevojën për rritjen e kapaciteteve turistike por edhe cilësisë së shërbimit.
“Ne duhet ta kemi shumë të qartë që deti Adriatik dhe deti Jon janë për shqiptarët e të dyja anëve të bjeshkëve dhe ata kanë gjithë mikpritjen nga të rinjtë shqiptarë dhe duhet jemi si një të tërë në këtë përpjekjen tonë për një Shqipëri me shfrytëzim të plotë tē potencialeve turistike”.
Projekti Smile i të rinjve të punësuar pikërisht për mikpritjen e turistëve do të vijojë edhe pas sezonit turistik të verës, tha ministri.
“Nuk buzëqeshim vetëm për të mikpritur. Duhet të buzëqeshim në radhë të parë vetë. Të ndihemi mirë që jetojmë në një Shqipëri të fortë, në një Shqipëri të pastër , turistike dhe ambjentale. Ndaj duhet ta mbajmë operacionin Smile edhe përtej gushtit”.
Nga të rinjtë e projektit, ministri Klosi kërkoi më shumë angazhim në ditët e mbetura të gushtit ku ndryshimi i mentalitetit dhe edukimi mjedisor janë pika kyce sipas tij,në betejën për mjedisin. /abcnews.al