Klosi jashtë rindërtimit, burrë e grua në banesën e rrënuar: Jetojmë me frikë, s’kemi ku të shkojmë

schedule19:01 - 26 Nëntor, 2020

schedule 19:01 - 26 Nëntor, 2020

Xhevahir Zhabina

E ndërsa zyrtarë dhe ministra të qeverisë janë përqendruar në inaugurimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti, Klosi është një zonë që nuk është në planet e rindërtimit.

Banorët e fshatrave Bejë e Bel janë prekur nga disa tërmete, por ai i 26 nëntorit ishte më i rëndi. Janë 57 familje nuk përfshihen në procesin e rindërtimit të qeverisë qendrorë pavarësisht kërkesës së bashkisë së Klosit e cila nuk ka buxhet.

Prefekti i qarkut të Dibrës Nexhbedin Shehu thotë se ato do përfitojnë vetëm 50 % të vlerës së dëmit ndërsa shtëpitë nuk mund të ndërtohen nga shteti.

“Shtëpi, në dijeninë time nuk janë ndërtuar. Për arsye se nuk do të ndërtohen nga shteti. Ata do marrin vlerën e dëmit, sipas ligjit 50 për qind e vlerës dhe kjo punë ka zgjatur pasi bashkia e Klosit s’i ka pasur kapacitetet e nevojshme.”  

Por dhe kjo ndihmë do shumë kohë të shkojë në xhepat e banorëve.

“Sot kalojnë në Këshill Bashkiak dosjet dhe do t’i përcillen prefektit dhe ne do t’i përcjellim në Tiranë për t’i fut në procedurën e kompensimit.”

Këtu ndodhemi në fshatin Bejnë të Klosit. Kjo është banesa e Mersin Hoxhës, e dëmtuar plotësisht nga tërmeti i një viti më parë.

U shpall e pabanueshme. Autoritetet i vendosën një shirit për të mos lejuar askënd të hyj brenda. Por sot shiriti është hedhur tutje si shenjë proteste ndaj zyrtareve që nuk i ndihmuan. Askush, në një vit, nuk u kujtua për ta. Të detyruar, vendosën të jetonin në këtë banesë.

Në dhomë e ndenjes qëndron Kimete Hoxha, e zonja e shtëpisë. Ajo është e paralizuar prej 24 vitesh. Për të shmangur rrezikun, i zoti i shtëpisë ka vendosur këto shtylla për të mbajtur tavanin apo kolonat.

Mersini Hoxha na thotë se jeta në këto 12 muaj ka qenë mjaft e vështirë. Pas tërmetit familjes së tij iu soll një çadër, por në atë hapësirë nuk mund te jetohet.

Ai ka zgjedhur të hyjë në shtëpi, e cila rrezikon të bie nga një lëkundje tjetër.

“Po me frikë rrimë. Ku do shkojmë. Të ndodhë, të paktën e di që s’më ngel merak. Vdekjen e kam të sigurt.”

Ka vetëm një kërkesë, të ketë një shtëpi ku të fusë kokën.

“Po që se është e mundur shteti të na përkrahë pak o burr. Se s’kemi asnjë të ardhur, asnjë gjë, nga do përplasemi. Të paktën një banesë të vogël sa me jetu.”

Na tregon se merr një bonus qiraje 10 mijë lekë te reja.

Lëmë fshatin Bejnë dhe udhëtojmë për në Bel, një tjetër zonë e goditur nga tërmeti. Kjo është ajo çfarë ka mbetur nga shtëpia e Mehmet Kacelit pas lëkundjeve të 26 nëntorit.

Na tregon se shpëtoi mrekullisht pasi gurët për pak nuk e zunë brenda. Prej një viti jeton në këtë çadër së bashku me djalin e tij. Ndërsa mbesat dhe nusja e djalit jetojnë herë tek të afërmit dhe herë me qira në qytet. Kushtet brenda në çadër janë të rënda.

Por një vit më pas gjendja është dramatike, dimri i dytë në çadër do të ishte shumë i vështirë për familjen.

“Nga t’ia mbash or ti. Lek s’kam me bo shtëpi.”

Qëndrimi në çadër i duket si një dënim dhe kërkon vetëm një çati ku të fusë kokën. Por Mehmeti nuk ka pritur ndihmën e shtetit. Disa metra poshtë banesës së vjetër  ka nisur të ndërtojë shtëpinë e re. I ka lënë punimet përgjysmë, pasi nuk ka më para.

“E kam bo me borxh për Zotin, më kanë dhënë njerëzit. Dhe, fjala do t’i laj me na ndihmu këta të bashkisë.”

E sigurt është që Mehmet Kaceli do ta kalojë përsëri dimrin në çadër. Ndërsa familja Hoaxh në shtëpinë  tyre e cila është e pabanueshme me shpresën që mos të ketë një tërmet tjetër pasi do të ishte fatal për ta. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!