Jurgen Klopp është një ndër trajnerët më të dashur nga të gjithë. Trajneri i “The Reds” ka mbetur një ikonë e Borussia Dortmund. Ai drejtoi verdhezinjtë për shtatë sezone rresht, duke e rikthyer ekipin në nivel të lartë dhe te trofetë.
52-vjeçari i befasoi të gjithë më ekipin që kishte krijuar, duke fituar dy herë titullin dhe duke dërguar Dortmundin në finalen e Champions League (e humbur 2-1 përballë Bayern Munchen në vitin 2013).
Klopp mbetet një idhull i tifozëve të klubit gjerman, por jo vetëm. Hans-Joachim Waztke risjell momentin e largimit të tij nga ekipi në vitin 2015. Shefi ekzekutiv i nënkampionëve gjermanë rrëfen gjithçka me detaje në biografinë e tij, duke zbuluar lidhjen unike që kishte me trajnerin.
“Më tha që do të ishte më mirë që të largohej pas 7 vitesh. Nuk tentuam t’i ndryshonim mendjen, por ndoshta bëmë një gabim të madh. Ndoshta do të ishte më mirë të kishim ndërruar gjithë ekipin, jo trajnerin.
Largimi i tij ishte si largimi i një djali nga familja. E di që do të ndodhë herët apo vonë, por sërish të mungon shumë. Jam ndjerë keq për javë të tëra pas largimit të tij. Më ndodh shpesh që kur shkoj në zyrën time, dal në ballkon dhe humbas në kujtimet e bukura që kemi së bashku”, rikujton Hans-Joachim Waztke. /abcnews.al