Liverpool triumfoi 0-5 kundër Atalantës dhe trajneri Jurgen Klopp pas ndeshjes tha se skuadra e tij ishte e jashtë zakonshme dhe se askush nuk mund t;’i mbante sulmuesin e tij. Përballja me italianët, sipas trajnerit gjerman, nuk kishte lidhje me sistemin e lojës apo ndonjë gjë tjetër. Ishin lojtarët ata që vendosën, sikurse shprehet Klopp për BT Sport.
“Ishte një performancë që na duhej sonte. Djemtë bënë një lojë të pabesueshme. Vija e parë mbrojtëse dhe sulmuese ishte e jashtëzakonshme. Organizimi i mesfushës, dëshirë, gatishmëria, vija e fundit që shtynte lart duke ditur kërcënimin që mund të shkaktonte Atalanta. Ju fitoni një ndeshje 5-0, mund të shënoni edhe më shumë gola, por portieri bën tre pritje të klasit botëror”.
“Ishte e vështirë kundër nesh sonte. Nuk mendoj se dikush mund të kishte mbrojtur kundër Sadio Mane, Mo Salah dhe Diogo Jota. Kështu që nuk kishte të bënte me taktikat ose sistemin tonë, kishte të bënte me ekipin. Kishte të bënte vetëm me lojtarët sonte”.
“90 për qind e lojtarëve të mi kanë tre ndeshje gjatë pushimit të kampionatit. Ata do të jenë sërish në detyrë. Pas City këtë fundjavë jam vetëm unë që marr një javë pushim. Duhet të rikuperohemi tani dhe pastaj të shohim kush është në dispozicion. City është ekip tjetër dhe duhet të sigurohemi të jemi gati për një përballje të tillë”, tha Klopp. /abcnews.al


