Liverpool do të udhëtojë të dielën drejt “Stamford Bridge”, aty ku do të përballet me vendasit e Chelsea. “The Reds” numërojnë pikë të plota në kampionat pas javës së pestë dhe kryesojnë me 5 pikë më shumë se Manchester City.
Titulli në qytetin e The Beatles mungon prej vitit 1990 dhe Klop me djemtë e tij janë të karikuar në maksimum për triumfin në kampionat.
Trajneri gjerman i kampionëve të Evropës ka folur përpara ndeshjes kundër ekipit të Lampard, duke u ndalur edhe te humbja në mesjavë përballë Napolit në Champions League.
NAPOLI – “Normalisht nuk humbet kur luan në atë mënyrë. Zhvilluam një performancë cilësore kundër një kundërshtari të vështirë. Është e pamundur të dominosh një ndeshje kundër Napolit, sepse ata janë një ekip i shkëlqyer. Asnjëherë nuk është e thjeshtë të përballesh me ta.”
DËMTIMET – “Naby Keita është rikthyer të stërvitet me skuadrën. Allison po punon veçmas dhe po bën progres, ndërsa gjendjen e Origit do ta vlerësojmë në vijim. Vështirë që të luajë të dielën, por nuk e përjashtoj diçka të tillë.”
CHELSEA – “Është gjithmonë e vështirë të fitosh në fushën e tyre. Lampard ka bërë një punë shumë të mirë te Derby County dhe nuk befasohem që e shoh në stolin e bluve. Disa persona në Londër nuk janë të lumtur me rezultatet e ekipit, por nuk është faji i trajnerit. Premier Liga është një kampionat shumë i vështirë. Lampard është një trajner i aftë dhe drejton lojtarë të rinj dhe të talentuar. Ata kanë gjithë respektin tim. Nuk fitojmë në fushën e tyre prej 3 vitesh? E di dhe nuk është diçka e mirë, por nuk na rëndon ky fakt. Do të tentojmë rezultat pozitiv të dielën.” /abcnews.al