“Kleçkat” e listave me 26 lojtarë dhe portierët, UEFA vendos për EURO 2020

schedule11:59 - 4 Maj, 2021

schedule 11:59 - 4 Maj, 2021

COVID-19 ka bërë që shumë gjëra në botën e futbollit të ndryshojnë. Për shkak të kalendarit të ngjeshur numri i zëvendësimeve u rrit në pesë, ndërkohë që tani për EURO 2020 UEFA ka vendosur të lejojë kombëtaret të grumbullojnë më shumë lojtarë.

Në Europianin e kësaj vere çdo kombëtare do të ketë të drejtën të grumbullojë 26 lojtarë dhe jo 23, sikurse ka ndodhur më parë. Sot Komiteti Ekzekutiv ka vendosur për këtë ndryshim, të paralajmëruar edhe më parë në mediat ndërkombëtare.

Ajo që nuk ndryshon ka të bëjë me faktin se në protokoll sërish do të lejohen vetëm 23 lojtarë për ndeshje, pra vetëm 12 lojtarë të gatshëm për t’u zëvendësuar, mes tyre tre portierë.

UEFA ndërkohë ka vendosur që të lejohen ndryshime në listë, në rast se do të ketë dëmtime serioze ose lojtarë të sëmurë para ndeshjes së parë. Që këto ndryshime të bëhen duhet që mjekët të japin fjalën e tyre.

Lojtarët që rezultojnë pozitiv me COVID-19, ose që deklarohen si kontakte të ngushta të një personi të infektuar dhe vendosen në karantinë, konsiderohen si të sëmurë dhe mund të zëvendësohen para ndeshjes së parë me miratimin e UEFA-s.

Një tjetër rregull i ndryshuar është se lojtarë e zëvendësuar në listë nuk mund të rikthehen më, kurse portierët mund të lejohen të zëvendësohen para çdo ndeshje gjatë turneut, në rast se janë të dëmtuar, edhe nëse një ose dy portierët e tjera janë akoma në dispozicion. /abcnews.al