Superiorja rikthehet me Klasiken e futbollit shqiptar, por pa spektaklin e tifozëve. Tirana dhe Vllaznia do të përballen mes tyre në stadiumin “Selman Stërmasi” të boshatisur. Dënimi i Disiplinës pas derbit ka përfshirë edhe ndeshjen e sotme për bardheblutë, që gjithsesi do kërkojnë të marrin pikët e plota.
Vllaznia e suksesshme në transferta do mundohet të përsërisë vetveten, ndaj një ekipi që i ka shkuar humbjen e parë. Këtë herë trajneri Mirsad Jonuz do të ketë një ekip më të plotë, pasi kthehen të pëzulluarit Gurishta e Ramadani, sikurse është gati edhe braziliani Hygor.
Tirana në krahun tjetër nuk ka Hoxhallarin dhe futbollistin Torassa, të dy të ndëshkuar me kartonë të kuq në ndeshjen me Teutën. Lajm i mirë është rikuperimi i Edon Hasanit, ndërkohë që trajneri Julian Ahmataj duket se po mendon të luajë me Dokën në krahun e majtë të mbrojtjes. Takimi i sotëm nis prej orës 18:00. /abcnews.al

