Një ditë më parë në të gjithë venin tonë ka nisur viti i ri shkollor për shkollat 9-vjheçare dhe të mesme. Nënkryestarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani këtë të martë në një lidhje direkte për “Tirana Live” , në ABC News ka dhënë detaje sa i përket numrit të shkollave të reja që janë hapur në kryeqytet.
Ristani ka theksuar se këtë vit shkollor janë hapur 9 shkolla të reja dhe 5 çerdhje dhe kopshte që kanë si qëllim uljen e numrit të nxënësve nëpër klasa dhe zhdukjen e turnit të dytë.
“Bëhet fjalë për 9 shkolla të reja që do të hapen gjatë këtij viti dhe 5 kopshte dhe çerdhe. Ne në të gjithë shkollat që ndërhyjmë përveç shtimit të kapaciteve kemi dhe si qëllim dhe shtimin e klasave për të mos pasur sa më pak nxënës në shkolla. Për çdo rast kemi të bëjmë me shtimin e klasave dhe qëllimi është zhdukja e mësimit me turne. Tashmë ka edhe shkolla si Sabaudin Gabrani, Edith Durham dhe Emin Duraku janë akoma shkolla që kanë mësimin me dy turne por me mundësitë që kemi ne kemi bërë të mundur zhdukjen e mësimit me turme. Më parë nuk ka pasur klasa më me pak se 35 nxënës ndërsa tashmë kemi klasa me jo më shumë se 30 nxënës në Klasë. I gjithë ky lehtësim bëhet nga investimet në infrastrukturën”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera ajo është shprehur se kur flitet për shkollat e reja ato përfshijnë edhe periferinë, pasi synimi është që dhe në njësitë administrative fëmijët të kenë të njëjtin standard si në zonën e metropolit.
Ndërkaq ajo ka theksuar se deri më tani ka mbaruar rikonstruksioni i shkollave të dëmtuara nga tërmeti dhe se akoma pa mbyllur janë vetëm ato institucione arsimore që financohen nga fondet e BE-së.
“Procesi i rindërtimit të shkollave të dëmtuara nga tërmeti është mbyllur në të gjithë godinat që menaxhoheshin nga bashkia, dhe kanë ngelur ato shkolla që do të investohen nga fondet e BE. Kur flasim për Tiranën flasim për të gjithë njësitë administrative. Vetëm në Ndroq dhe në Vaqarr kemi pasur kopsht dhe çerdhe në këto qendra për të ardhur në ndihmë të fëmijëve në këto zona. Kemi dy shkolla të reja në Pezë që kanë standarte ndërtimi dhe ambientesh”, ka thënë ndër të tjera nënkryetarja e bashkisë./abcnews.al