Kjo është karakteristika që kërkojnë tek partneri i ri ata që dalin në takim

schedule21:23 - 25 Prill, 2022

schedule 21:23 - 25 Prill, 2022

Gjëja më e rëndësishme kur takoheni me dikë është të dini saktësisht se çfarë dëshironi. Sipas të dhënave të Match, 90% e njerëzve që dolën në një takim në vitin 2020, i dhanë përparësi tërheqjes fizike dhe kjo nuk është aspak befasuese.

Megjithatë, duket se nga atëherë e deri më sot gjërat kanë ndryshuar shumë pasi pandemia ndoshta na ka bërë të mendojmë ndryshe. Sipas një sondazhi të fundit të Match, 78% e të dashuruarve kërkojnë një tipar unik për të pasur një marrëdhënie dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse inteligjencë emocionale.

Sipas ekspertëve të VeryWellMind, inteligjenca emocionale përkufizohet si “aftësia për të perceptuar, kontrolluar dhe vlerësuar emocionet e vetes dhe të të tjerëve”. Shtyllat e saj kryesore janë ndjeshmëria, përgjegjësia për veprimet tuaja, demonstrimi i vetëdijes dhe aftësia për të vendosur kufij.

Siç përshkruan trajneri i jetës dhe biznesit Puja McClymont në Stylist: “Kur dalim në një takim, zakonisht duam që personi tjetër të jetë i sjellshëm me ne dhe të tregojë se na kupton. Inteligjenca emocionale do të bëjë që personi me të cilin kemi dalë të mos na gjykojë lehtë dhe nëpërmjet saj do të dëshirojë të na njohë më mirë dhe të kuptojë sjelljet tona”.

Inteligjenca emocionale, sipas Daniel Goleman, është e ndërthurur me suksesin e njeriut në jetë. Termi inteligjencë emocionale u krijua për herë të parë në vitin 1990 dhe i referohet aftësisë së dikujt për të perceptuar, përpunuar dhe rregulluar emocionet e veta në mënyrë efektive dhe efikase, për veten dhe të tjerët, dhe për të përdorur këtë informacion për të udhëhequr të menduarit dhe veprimet e tij dhe për të ndikuar te të tjerët.

Në fakt, njerëzit me inteligjencë të lartë emocionale priren t’i shohin gjërat në mënyrë empirike, të bashkëpunojnë me të tjerët, të zhvillojnë marrëdhënie më të dashura dhe të kënaqshme, si dhe të kenë aftësi më të mira sociale në përgjithësi./abcnews.al