“Kjo do të jetë vjeshta e protestave”, Berisha: Qytetarët po na presin, t’i bindim se e kemi seriozisht

schedule18:14 - 26 Shtator, 2022

schedule 18:14 - 26 Shtator, 2022

“Kjo do të jetë vjeshta e protestave”. Kështu deklaroi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, Sali Berisha, duke mos dhënë edhe këtë herë një datë fikse për fillimin e tyre.

Ish-kryeministri përpara anëtarëve të Këshillit tha se qytetarët po presin mobilizimin e tyre.

“Kjo do të jetë vjeshta e protestave ose pranvera e demokracisë. Njerëzit janë të gatshëm, presim vetëm mobilizim. Ata mobilizohemi kur të kuptojnë se ne e kemi seriozisht. Kur të binden se ne do i shkojmë deri në fund misionit tonë”, deklaroi ai.

Lidhur me mënyrën sesi do të dilet në sheshe, ish-kryeministri shpjegoi: “Një formë mbetet protesta qëndrueshme dhe e vazhdueshme. Por shumëllojshmëria e protestave duhet të jetë objektivi ynë”.

Ndryshimi në këto protesta, zbuloi Berisha do të jetë përfshirja e sindikatave. “Së shpejti do të takohemi e sindikatat që kanë një rol kryesor. Fatos Lubonja thotë ne jemi komb pa sindikata. Por ne duhet të mbështesim fuqimisht sindikatat. Unë kam besim se ato do të riorganizohen. Do të mbrojnë interesat e punonjësve”, tha ai.

Siç thekson ai “frontit për shpëtimin” do t’i bashkohen partitë opozitare. “Fronti për shpëtimin e Shqipërisë, do të zgjerohet me sindikatat, me parti të tjera, me PL dhe çdo parti tjetër. Kam besim se na kjo mbledhje ne do të arrijmë të shpërndahemi ne mbarë vendin në një situatë të elektrizuar nga pakënaqësia e kësaj qeverie”, deklaroi Berisha. g.v/abcnews.al