Racizmi ka ekzistuar gjithmonë, por kohët e fundit është shtuar shumë në futbollin europian. Futbollistë me ngjyrë po përfundojnë nën sulmet e tifozëve të ndryshëm dhe kjo çështje po sjell shumë shqetësim dhe një debat të madh.
Emanuel Petit fitoi Botërorin dhe Europianin me Francën dhe gjatë karrierës së tij ka luajtur me klube si Arsenal, Barcelona dhe Chelsea. 49-vjeçari ishte pjesë e klubit katalanas në sezonin 2000-2001 dhe e mbylli aventurën spanjolle me 38 ndeshje të zhvilluara. Ish-mesfushori ka dhënë një deklaratë shumë të fortë për RMC, aty ku flet rreth racizmit që ekzistonte në skuadër.
“Kam përjetuar racizmin brenda dhomave të zhveshjes së Barcelonës. Kjo gjë ndodhte spontanisht, por me disa lojtarë të caktuar ndodhte herë pas here. Kishte një betejë midis lojtarëve katalanas dhe atyre holandezë. Trajneri ishte i paaftë për të menaxhuar këtë. Më kërkuan të mësoj gjuhën katalanase, jo atë spanjolle. Nacionalizmi katalanas ishte në kufijtë e racizmit“, zbulon Emanuel Petit. /abcnews.al