Kishte 119 kg “të bardhë”, por skaneri në Durrës e nxorri të pastër. Pikëpyetjet mbi rrugëtimin e konteinerit të kokainës

schedule12:05 - 31 Dhjetor, 2021

schedule 12:05 - 31 Dhjetor, 2021

Krahas vjedhjes së një sasie të madhe kokaine në portin e Gioia Tauro, një tjetër mister mbi konteinerin me kokainë që u kap në Durrës lidhet edhe me fakti se si ndodhi që ai të dilte i paster nga skaneri edhe pse brenda kishte drogë.

Në njoftimin e bërë mëngjesin e sotëm, policia nuk jep detaje se pse doli i pastër në skaner konteineri me drogë dhe as nëse e lanë të kalonte për të kapur porositësit. Pikërisht kjo gjë tregon se duhet zbardhur përse skaneri nxorri të pastër një konteiner që kishte brenda jo pak por 119 kilogram kokainë.

Lexo edhe: EKSKLUZIVE/ Misteri pas konteinerit me “të bardhë”, një grup vodhi drogën në Itali, të tjerë e ndaluan për kontroll në Durrës

Vjedhja e kokainës në Itali

Gjithçka ka nisur në një nga portet e Ekuadorit ku një kompani që importon banane nga Amerika Latine kishte bërë porosinë e radhës. Krahas bananeve, në konteinerin frigoriferik ishin futur edhe sasi e madhe lënde narkotike kokainë. Grupet kriminale kanë ndjekur rrugëtimin disa javor të konteinerit nga Ekuadori për në portin Gioia Tauro në Itali.

Konteineri është hapur pikërisht në këtë port dhe fillimisht ndërhyrja është konstatuar nga autoritetet e portit, të cilët njoftuan policinë se kishte ndodhur një vjedhje e arkave me banane nga konteineri me destinacion Shqipërinë. Pas verifikimit të procesverbalit të nisjes dhe konstatimit të arkave me banane prezente, policia ka bërë një procesverbal tjetër ku ka shënuar se konteineri u gjet i hapur, pa plumbçen që shërben si vulë dhe se nga ai ishin vjedhur një sasi e madhe bananesh pa bërë fjalë për lëndë narkotike.

Dyshohet se sasia e madhe e bananeve, të cilat janë hequr nga konteineri janë kokainë e vjedhur nga një grup kriminal, i cili kishte dijeni për prezencën e saj aty.

Policia dhe autoritetet e portit të Gioia Tauro bën mbylljen e konteinerit dhe bashkë me procesverbalin përkatës e nisin konteinerin për në portin e Durrësit, ku edhe do të dilte i pastër në skaner. /abcnews.al