Ilir dhe Lindita Bleta, dy pensionistë nga fshatrat e Tiranës, tani mund ta bëjnë gjumin rehat pas disa javësh stresuese nën presionin e përmbaruesve për të shlyer një kredi, të cilën ata në fakt nuk e kishin marrë.
Të dy ata iu drejtuan mikrofonit të Abcnews.al më datë 16 qershor duke theksuar se “IUTE Credit” dhe “Final sha” u kishin vënë “lakun” në fyt duke kërkuar kthimin e një borxhi më shumë se 170 mijë lekë me argumentin se bashkëshortja kishte marrë një kredi që nuk e kishte shlyer në kohë.
Çifti Bleta kishte shkuar edhe në prokurori dhe polici, por askush nuk i kishte dëgjuar. Ngjarja filloi të marrë zgjidhje pas publikimit të rastit në Abcnews.al ku mori mjaft vëmendje edhe nga qytetarët që po ashtu kishin rënë viktima të institucioneve të mikro-kredisë, të cilët kanë “peshkuar” jo pak hallexhinj përmes interesave dhe tarifave të tyre të palogjikshme me realitetin e tregut.
Lexo edhe: “Peshkaqenët” e kredive fusin në çark çiftin e pensionistëve nga Tirana, Ilir dhe Lindita Bleta i drejtohen ABC-së: Borxh me firmë false, policia dhe prokuroria nuk na dëgjojnë
Ilir Bleta iu drejtua sërish sot redaksisë së Abcnews.al duke theksuar se gjithçka ishte zgjidhur dhe se nuk do të paguante asgjë, ndryshe nga sa pretendonin kompanitë. Ai tha se i kishin telefonuar nga kompanitë në fjalë dhe i kishin thënë se nuk kishte detyrime ndaj tyre.
Ngjarja:
Ilir dhe Lindita Bleta iu drejtuan Abcneës.al më datë 16 qershor pasi ishin duke u sorollatur zyrave të shtetit shqiptar nën kërcënimin e “IUTE Credit” dhe kompanisë “Final” se duhej të shlyenin kredinë që sipas kompanive kishin marrë te “IUTE Credit”. Çifti në fakt pretendonte se nuk kishte marrë asnjë kredi dhe nuk kishte dijeni se si ishte krijuar ky borxh i pretenduar nga “IUTE Credit” nëpërmjet kompanisë “Final”.
Denoncimi, datë 16 qershor:
Siç dukej edhe në dokumentet që çifti i ka vënë në dispozicion redaksisë sonë, ndaj tyre është nxjerrë një urdhër ekzekutimi me qëllim mbledhjen e shumës në fjalë për llogari të “IUTE Credit”.
“Na kanë telefonuar dhe kërkuan që të paguajmë një shumë prej 170 000 lekësh të reja sepse thonë që kemi marrë një kredi. Ne nuk kemi marrë ndonjëherë kredi aty (Iute Credit sh.r), unë nuk e di ku janë bankat e jo më të shkoj dhe të marr kredi. Të vish në shtëpinë tonë e kupton në çfarë gjendje të rëndë jetojmë dhe nuk kemi asnjë të ardhur”, rrëfyen bashkëshortet.
Menjëherë pas bërjes publike të këtij denoncimit, çifti i pensionistëve është kontaktuar nga kompania në fjalë dhe u është thënë se në fakt nuk kanë asnjë borxh për të shlyer.
“Peshkimi” i qytetarëve përmes institucioneve të mikrokredisë është kthyer në një problem të mprehtë social në vend ku mijëra shqiptarë janë mbajtur dhe po mbahen peng duke u frikësuar çdo ditë prej këtyre kioskave të kredi-dhënies dhe kompanive të mbledhjes së borxheve me interesa dhe tarifa stratosferike. Ky është një tjetër shembull që tregon nevojën që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë për të rregulluar këtë treg, i cili po merr më qafë familjet shqiptare. /abcnews.al