Dinamo u mposht edhe nga Burreli dhe situata në kampin blu është e rëndë. Gjithsesi besimi është i madh se situata do të ndryshojë. Merkato shikohet si “varka e shpëtimit”, teksa paralajmërohet largimi i shumicës së lojtarëve aktualë.
Gjithçka zbulohet në faqen zyrtare të Dinamos në “Facebook”, gjatë një bashkëbisedimi me tifozët: “Do të ndërhyhet në merkato, do të ndryshojë ekipi rrënjësisht pothuajse 90%. Kjo ishte ndeshja e fundit e këtij viti, por si sot Dinamo nuk do jetë më! Kini durim dhe shprese, Dinamo nuk e diskuton qëndrimin në kategori”.
Me tej, në komente shtohet:”Sapo ka ardhur presidenca e re zotëri i nderuar, ekipi ai ishte. S’mund të luajë as presidenti dhe as drejtorët. Kur te hapet merkato, shikojeni Dinamon dhe atëherë flisni. E kuptojmë shumë mirë, edhe ne si tifozë dinamovitë shumë kemi duruar në atë kategori, por presidenca e re sapo ka ardhur dhe ato lojtarë kanë qenë aty.
Situata do ndryshoje me hapjen e merkatos. Shpresojmë shumë që të vini në stadium ndeshjen e parë pas vitit të ri dhe të shikoni Dinamon”. Më tej pyetet pse figura të shquara të Dinamos ndër vite nuk afrohen ne klub dhe përgjigja është e menjëhershme.
“Të gjithë e kanë derën e hapur, por ku janë këta ish-futbolliste që nuk kanë ardhur kurrë ta shikojnë Dinamon në stadium? Po tifozët ku janë? Përveç ata të grupit Blue Boys apo disa të tjerëve, që numërohen me gishta! Dinamo ka pasur nevoje si për tifozë, ashtu edhe ish-futbollistë të klubit, por gjithmonë kanë mbyllur veshët për të mbajtur postet zyrtare kur u është bërë thirrje. Mos i shikoni kaq përciptazi gjërat, ju lutem!”. /abcnews.al