Kina dhe Rusia po sfidojnë influencën tregtare të Shteteve të Bashkuara. Presidenti Donald Trump ka akuzuar dy vendet për lojra financiare me qëllim dobësimin e pozitave të Amerikës.
Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar Rusinë dhe Kinën se po bëjnë lojra financiare me qëllim dobësimin e valutës amerikane. Sipas Trump, dy vendet po e bëjnë këtë gjë duke zhvelrësuar valutat përkatëse, në një kohë kur normat e interesit në Shtetet e Bashkuara po ngrihen. “Rusia dhe Kina po bëjnë lojra valutash në një kohë kur Amerika po i mban të ngritura normat e interesit. Kjo është e papranueshme!”, ka thënë Trump në Tëitter. Postimi i kreut të shtetit i referohet atyre që ai i konsideron praktika tregtare të zhdrejta. Kjo, pasi nëse valuta e një vendi ulet në mënyrë artificiale, atëherë eksportet e tij bëhen më konkurruese në treg. Ndërsa normat e larta të interesit në Shtetet e Bashkuara në përgjithësi rrisin vlerën e dollarit, duke i bërë eksportet amerikane më të shtrenjta. Që kur Trump mori detyrën në janar të vitit 2017, dollari amerikan është dobësuar kundrejt shumë valutave të tjera, përfshirë jenin kinez dhe rublën ruse. Kundrejt jenit, dollari ka rënë me 8.6 për qind që prej 20 janarit 2017; ndërsa përballë rublës me 4.5 për qind. Por me vendosjen e sanksioneve më herët gjatë muajit, dollari ra më tej në 4 për qind ndaj monedhës ruse. /abcnews.al