Kinë-Rusi, forum për bashkëpunimin ekonomik

schedule21:27 - 7 Shkurt, 2018

schedule 21:27 - 7 Shkurt, 2018

Kina dhe Rusia kanë nisur punimet e forumit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Përveç intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe, eventi do të shërbejë edhe si një mesazh për Perëndimin.

Presidenti kinez, Xi Jinping dhe homologu rus, Vladimir Putin, shkëmbyen këtë të mërkurë mesazhe urimi, me rastin e ceremonisë që shënon nisjen e punimeve të forumit “Vitet e bashkëpunimit Kinë-Rusi”.

Në mesazhin e tij, kreu i shtetit kinez deklaroi se eventi do te shërbejë që bashkëpunimi mes Pekinit dhe Moskës nga niveli qendror të kalojë edhe në nivel lokal, me qëllim zhvillimin e rajoneve.

Ndërsa Putin përshëndeti progresin e arritur nga partneriteti me Kinën, të cilin e konsideroi të rëndësishëm edhe nga aspekti strategjik. Dhe në fakt, forumi që do të nisë në Shën Peterburg do të shërbejë edhe si një sinjal për Perëndimin, që të kuptojë rëndësinë e rolit të dy fuqive lindore në arenën politike ndërkombëtare.

Atë të Kinës, që në vitet e fundit po përpiqet të dobësojë ndikimin amerikan në Azi me qëllim që të rrisë influencën e saj; dhe atë të Rusisë, që e drobitur nga sanksionet synon të tregojë se po rimëkëmbet dhe se masat ndëshkuese nuk i dhembin më.

Në takimet dypalëshe, përfaqësuesit e qeverive dhe bizneseve do të diskutojnë për tregtinë, industrinë, agrikulturën, etj. Në kuadër të eventit do të hapet edhe panairi Rusi-Kinë, që sipas kreut të Kremlinit do të shërbejë për të eksploruar potencialet e reja të bashkëpunimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!