Kinë, qeveria kufizon pagat e aktorëve: Mjaft me paga stratosferike e evazion

schedule21:31 - 28 Qershor, 2018

schedule 21:31 - 28 Qershor, 2018

Qeveria kineze ka vendosur të rrisë kontrollin mbi botën e artit, duke zgjedhur të reduktojë pagat stratosferike të aktorëve. Për Pekinin zyrtar, pagat e larta kanë verbuar artistët dhe kanë larguar rininë nga vlerat shoqërore.

 

Qeveria kineze ka njoftuar se do të vendosë kufij për pagat e aktorëve, në përpjekje për të frenuar atë që e quan “histeria” e yjeve të shoëbizit, por edhe evazionin fiskal në industrinë kinematografike. Vendimi vjen në një kohë kur debati për pagat e larta të aktorëve në Kinë ka arritur pikun. Autoritetet kanë bërë me dije se në kuadër të këtij sanksioni, aktorëve kryesorë të filmave dhe serialeve televizive rroga do t’u shkurtohet deri në 70 për qind të kostos totale të produksionit, ndërsa atyre që kanë role plotësuese në 40 për qind. Vendimin e saj qeveria njofton se e ka arritur pas një procesi të gjatë diskutimesh me Departamentin e Propagandës, Ministrinë e Kulturës, radion dhe televizionin shtetëror dhe entet e tjera. “Pagat stratosferike, etja për para dhe evazioni fiskal janë probleme që duhen zgjidhur”, thuhet në deklaratën e qeverisë kineze. Sipas saj, këto probleme kanë verbuar artistët dhe kanë devijuar shoqërinë nga vlerat shoqërore. Në industri të tjera filmike, si në Hollivud apo Bollivud, shteti nuk ndërhyn në çështjen e pagesës së aktorëve. Por në Kinë qeveria synon të rrisë mbikëqyrjen ndaj industrive, përfshirë ato të sektorit privat. “Producentët duhet të mendojnë edhe për përfitimet e shoqërisë e jo vetëm për të ardhurat, shikueshmërinë, apo klikimet”, thuhet më tej në deklaratën zyrtare. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!