Kina bëri thirrje për “zgjidhje politike” si dhe stabilitet për të rindërtuar Sirinë, e cila pa shkatërrim nën regjimin e rrëzuar të Bashar al-Assadit.
“Kina shpreson që Siria të arrijë paqe dhe stabilitet sa më shpejt të jetë e mundur”, u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun.
“Shpresojmë që të gjitha palët në Siri do të lehtësojnë procesin e zgjidhjes politike përmes dialogut dhe negociatave dhe do të gjejnë një mënyrë për të rindërtuar vendin që është në interes të popullit sirian”, shtoi ai.
Komentet e Pekinit pasuan një operacion ushtarak të nisur nga Ushtria Siriane, përmes të cilit ajo rimori zona të gjera në Sirinë lindore dhe verilindore pas shkeljeve të përsëritura nga SDF të marrëveshjeve të mëparshme të nënshkruara me Damaskun gati një vit më parë.
Të dielën, presidenti sirian Ahmad al-Sharaa njoftoi një armëpushim të ri dhe marrëveshje për integrimin e plotë të SDF në institucionet shtetërore. Sipas marrëveshjes, SDF do të tërheqë formacionet e saj ushtarake në lindje të lumit Eufrat dhe do t’ia dorëzojë shtetit sirian kontrollin administrativ dhe të sigurisë të provincave Raqqa dhe Deir ez-Zor.
Marrëveshja parashikon integrimin e personelit ushtarak dhe të sigurisë të SDF-së në ministritë siriane të mbrojtjes dhe të brendshme pas verifikimit individual të sigurisë si dhe transferimin e pikave kufitare, fushave të naftës dhe gazit si dhe institucioneve civile nën kontrollin e qeverisë.
Regjimi i Asadit ra në dhjetor 2024, pas 24 vitesh në pushtet ndërsa Al-Sharaa u emërua president janarin e kaluar.


