Kina akuzon SHBA-në se po e shndërron Tajvanin “në fuçi baruti”

schedule10:01 - 5 Korrik, 2023

schedule 10:01 - 5 Korrik, 2023

Ministria e Mbrojtjes e Kinës ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po e shndërrojnë Tajvanin në një “fuçi baruti”, pas shitjes së fundit të pajisjeve ushtarake në këtë ishull vetëqeverisës në vlerë të përgjithshme prej 440.2 milionë dollarësh.

Departamenti amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e municionit 30 milimetërsh dhe pajisjeve përkatëse, sikurse edhe pjesëve rezervë për makinat në Tajvan, armë të vogla, sisteme të armëve luftuese dhe pajisje për mbështetje logjistike, shkruan REL.

Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes, Tan Kefei, u përgjigj duke thënë se “SHBA-ja injoron shqetësimet thelbësore të Kinës, ndërhyn ashpër në çështjet e brendshme të Kinës dhe qëllimshëm përshkallëzon tensionet përgjatë Ngushticës së Tajvanit”.
Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe nuk e përjashton mundësinë që ta marrë kontrollin e tij me forcë.

“Kjo është e barabartë me përshpejtimin e transformimit të Tajvanit në një ‘fuçi baruti’ dhe shtyrjen e popullit tajvanez drejt humnerës”, tha ai përmes një deklarate të publikuar në ueb-faqen e ministrisë.

Përdorimi i forcës për të kërkuar pavarësi është një përpjekje e destinuar të dështojë, tha ai, duke shtuar se ushtria kineze është gjithmonë e gatshme të mbajë paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit.

SHBA-ja ndjek politikën “Një Kinë”, sipas së cilës Uashingtoni nuk e njeh zyrtarisht pavarësinë e Tajvanit dhe nuk ka raporte formale diplomatike me ishullin. Megjithatë, ligjet në SHBA kërkojnë që Tajvanit t’i ofrojnë mbrojtje kredibile dhe SHBA-ja i trajton të gjitha kërcënimet ndaj ishullit si çështje “për shqetësime serioze”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!