Kikia: Vota sot nuk prodhon pushtet, por është një plaçkë

schedule22:47 - 9 Qershor, 2020

schedule 22:47 - 9 Qershor, 2020

Mentor Kikia drejtor i lajmeve në “Klan Plus” i ftuar në “Provokacija” ka folur për klasën politike në Shqipëri.

Sipas tij klasa politike nuk është serioze dhe e pavarur. Kikia gjatë intervistës përballë Mustafa Nanos u shpreh se politika duhet të prezantojë seriozitet dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.

“Edhe pse një vend anëtar i NATO-s shpesh jemi vasal, me nuancat e një servilizmi të pështirë. Gjithmonë kemi kuptuar se rruga për tu bërë udhëheqës duhet të kalojë përmes ambasadave, nga këtu buron edhe fakti që politikanët shqiptarë harxhojnë para për të bërë disa foto, për ti shitur si preferenca amerikane, për ti mbushur mendjen shqiptarëve që unë jam i preferuari i tyre. Një politikan i suksesshëm nuk është ai që ka një program të mirë për vendin.

Mungesa e përgjegjësisë të bën të hasesh shpesh me sharlatanizëm. Nuk ka gjë më të rëndë se sa të shkelësh me këmbë dhe të hedhesh besimin që njerëzit krijojnë për ty. Ky është një tipar pervers i kësaj klase politike. Unë nuk do të fajësoja shumë qytetarët, por shpeshherë njerëzit vazhdojnë të besojnë.

Lirshmëria me të cilën gënjejnë të varfrin pasi i marrin votën më nervozon. Vota sot nuk prodhon pushtet, por është një plaçkë”, tha Kikia.

Më tej Kikia shtoi se shqiptarëve i duhet ndryshimi i filozofisë së qeverisjes, ndërsa shtoi se në Kodin Zgjedhor thjesht u arrit një marrëveshje. “Këtu nuk ka thjesht zyrtarë të korruptuar, këtu është korruptuar politika si mekanizëm. Ndërmarrjet më të zeza në Shqipëri janë partitë politike dhe për këtë nuk flitet”, u shpreh Kikia. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!