“Khashoggi”, administrata amerikane: Ende nuk kemi dalë në një përfundim

schedule09:10 - 18 Nëntor, 2018

schedule 09:10 - 18 Nëntor, 2018

Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi të shtunën se qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka arritur ende në një përfundim në lidhje me vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Reagimi erdhi pas zërave se të dhënat e siguruara nga CIA tregonin se gazetari ishte vrarë me urdhër të princit saudit të kurorës, Mohamed bin Salman. “Lajmet se qeveria amerikane ka nxjerrë një përfundim lidhur me ngjarjen janë të pasakta. Mbi vrasjen e Kashogit ka ende shumë pyetje që duhet të marrin përgjigje”, deklaroi zëdhënësja Hedhër Nojert.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump u informua mbi të dhënat e mbledhura nga CIA në një bisede telefonike të zhvilluar gjatë një udhëtimi për në Kalifoni. Trump u vu në dijeni të zhvillimeve nga shefja e agjencisë së inteligjencës, Xhina Hespëll dhe sekretari i Shtetit Majk Pompeo. Në një deklaratë të bërë më herët, Trump tha për mediat se në vendimet që do të marrë do t’i kushtojë rëndësi edhe marrëdhënieve që Shtetet e Bashkuara kanë me Arabinë Saudite. “Ata kanë luajtur një rol spektakolar për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Më duhet të marr shumë gjëra parasysh”, tha Trump./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!