“Këtu është e shitur çdo gjë, Jugu po zhduket dhe po shkon futbolli në mal”

schedule08:25 - 1 Mars, 2020

schedule 08:25 - 1 Mars, 2020

Bekim Halilaj, presidenti i Luftëtarit, ka shpërthyer një ditë më parë. Akuzat e tij janë të rënda. Shkak është bërë gjykimi në ndeshjen me Laçin dhe penallti a dhënë në favor të kurbinasve cilësohet si skandaloze. Direkt pas ndeshjes ai ka folur dhe tregon prapaskenat me Kridens Metën dhe Sokol Jarecin.

“Është turp i madh për çka ka bërë arbitri në Gjirokastër. Na mbyti me faulle more, na mbyti. Që në pjesën e parë i çova mesazh Sokol Jarecit dhe e njoftova: ‘A e kupton çfarë po bën ky?’. Po ju them një detaj. Laçi kishte tre lojtarë me kartonë të verdhë që rrezikonin shumë. Ata bënin faulle, gjyqtari nuk u jepte të verdhë sepse humbnin ndeshjen me Bylisin”, shprehet Halilaj.

Kreu i klubi të Luftëtarit nuk ndalet me kaq: “Ore, këtu është tmerr po ju them, është e shitur çdo gjë. Ne kemi gjyqtarë që kanë frikë nga dy gjëra: druri dhe marifetet. E dija që do vinte Meta një natë para. I shkrova Jarecit: “Në asnjë mënyrë të mos vijë ky. Ky është punëtor i këtij klubi që bëhet fjalë (e ka për Laçin). Duhet patjetër ta ndryshosh. Nuk mund të jetë ky”. Jareci më tha që dilte garant se do shkonte gjithçka mirë dhe do kishte drejtësi”.

Halilaj shton: “Nuk ndodhi kështu dhe e pa e gjithë Shqipëria që tha një penallti skandaloze. U bënë 12 penallti kundër nesh dhe 7 nuk kanë qenë. Ku është drejtësia këtu, më thoni. Ne shkatërrohemi duke investuar dhe duke u përpjekur të mbajmë gjallë këto klube, kurse ky arbitër vjen dhe bën kështu gjërash. Le t’u bëjnë veting.

Të mos dënohen vetëm me pezullim ndeshjesh, por të marrin gjoba financiare. T’u djegin më shumë gabimet që bëjnë. Këta janë arbitra me bllok në dorë more dhe e dinë mirë se kush ka kartonë të verdhë dhe kush rrezikon, me qëllim që të mos e dënojnë. Këta punojnë për një pjesë të klubeve”.

Akuzat vazhdojnë, madje bëhen edhe më të rënda. Sipas Halilajt kemi të bëjmë me një “luftë” ndaj jugut. Ai rreshton disa ekipe që janë jashtë elitës dhe në fakt nuk ka të bëjë me askënd tjetër, përveçse me menaxhimin e dobët të tyre dhe faktin që nuk janë të shëndetshme financiarisht.

“I bëj thirrje FSHF-së të shohë se çfarë ndodh me kampionatin. Pjesa e Jugut të Shqipërisë po del nga harta e futbollit elitar, nëse larg qoftë dënohet edhe Skënderbeu. Merrni me radhë: Gjirokastra, Vlora, Fieri, Lushnja, Berati, Elbasani, Kavaja, Pogradeci, Korça, të gjithë jashtë. E kush po mbetet kështu. Iku futbolli, shkoi në mal, po luajnë vetëm ata që kanë lekë dhe kush u jep dru arbitrave.

Ne këtej nga jugu jemi me kulturë dhe nuk jemi të dhunshëm, ata vazhdojnë neve… bam.  Gjyqtarët janë të shitur dhe në këtë mes ka dy gjëra ata ose i binden lekut, ose drurit. Këta nuk mbahen ore zotërinj, nuk mbahen, janë thjeshtë të papërballueshëm. Tani ne nga jugu jemi të butë dhe nuk i japim dru askujt, por as lekë nuk kam pse paguaj për arbitrat. Ku është esenca e sportit pastaj”, deklaron Halilaj mes të tjerash në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!