“Këtë vit festojmë ngushtë”, Tomini në ABC: Vendi, ende larg imunitetit të masës

schedule11:51 - 7 Dhjetor, 2020

schedule 11:51 - 7 Dhjetor, 2020

Këtë fundvit duhet të festojmë ngushtë, në familjet tona. Ka qenë kjo këshilla që ka dhënë shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik Eugena Tomini, në një bisedë me gazetaren Juli Xhokaxhi në ABC.

Duke theksuar se deri në ardhjen e këtyre festave kemi ende shumë kohë përpara, Tomini tha se ky vit duhet të konceptohet si një vit i festimit brenda familjes së vogël.

“Jo të shkojmë ne te festa, por festa të vijë tek ne. Duhet të festojmë ngushtë këtë vit.”

Ndërsa, e pyetur në lidhje me denoncimin e bërë nga Partia Demokratike lidhur me shifrat e viktimave nga Covid-19 në Shkodër, Eugena Tomini tha se nuk është mirë që t’i jepet situatës ngjyrë politike.

“Unë si specialiste e sëmundjeve infektive në shëndetin publik nuk do t’i jepja ngjyra politike situatës. Personalisht, jo vetëm në emër të bluzës së bardhë që unë mbaj, çdo mjek e ka detyrimin që të përballet edhe me vdekjen. Nuk do ta politizoja këtë lloj elementi. Është tepër kritike edhe për familjarët e atyre që kanë humbur jetën. Mosdeklarimi do peshonte mes familjarëve të atyre që kanë vdekur dhe tek bluzat e bardha….”

Kurse, sa i përket imunitetit të masës, shefja e Epidemiologjisë në ISHP tha jemi ende shumë larg këtij stadi.

Realisht, situata e transmetimit të Covid, ne jemi në një nivel stacionar. Niveli ka qenë edhe më i lartë, para 6 apo 8 javëve. Aktualisht niveli i përhapjes është 1.09. 1.1 për qind. Pra, nivel stacionar.

“Është e vështirë të themi nëse e kemi arritur një imunitet të tufës. Jemi akoma larg. Masat e kombinuara, me shpresën e një vaksinë… të gjitha bashkë mund të sjellin imunizimin.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!