Avni Zogiani, këshilltari i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi se ende nuk ka një datë për takimin e radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të cilin thuhet se mund të zhvillohet në muajin prill.
Në emisionin “Balkan Updates” në ABC News, Zogiani u shpreh se Kosova ka vullnet për të zbatuar marrëveshjet e arritur, ndërsa Serbia jo.
Sipas Zogianit, qëndrimet e Vuçiçit ndaj Kosovës nuk duhet të tolerohen nga ndërkombëtarët.
“Nuk kemi akoma ndonjë datë. Ajo që është me rëndësi, është se Kosova ka vullnet që të ecë nga pika e ngrirjes, nëse mund të quhet kështu. Pritet që të krijohet një vullnet i ngjashëm edhe në Serbi, fatkeqësisht nuk ka pasur një të tillë. Unë jam goxha skeptik se do të arrihet diçka, se takime ka pasur edhe në të kaluarën. Ju e dini që sapo është bërë marrëveshja në Ohër, të nesërmen ka pasur deklarata të Vuçiçit, se nuk do të lejojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kjo përbën shkelje direkt të marrëveshjes.
Unë nuk e kuptoj sesi mund të tolerohet dhe njëkohësisht të pretendohet se po tejkalohet ngërçi në zbatimin e marrëveshjeve. Nuk është problemi vetëm takimi, problemi është sesi do të gjendet një mjet për ta zhbllokuar dhe për ta detyruar Serbinë dhe Vuçiçin, sepse është e qartë që me vullnet të lirë, Vuçiç nuk do ta zbatojë marrëveshjen”, theksoi ai./abcnews.al